Inceneratori i Elbasanit vijon punën, ndonëse është vënë nën sekuestro nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK)

Shefi i Inspektoriatit të Mjedisit në Bashkinë Elbasan, Ismail Dybeli, konfirmoi se dyert e inceneratorit janë të hapura për të pritur mbetjet e bashkive të qarkut.

“Puna dhe sot deri në 4 të mëngjesit ka vijuar normalisht, edhe pse në media qarkullon ky problem. Incineratori vazhdon normalisht punën nuk eshte i fikur si rregull inceneratori fiket vetem kur kryhet remont, por ne rastet e tjera eshte ne gjendje pune gjithmone.

Bashkite e tjera te Elbasanit e kane marre informacionin qe te gjitha mbetjet do të kalojnë tek incineratori i Elbasanit. Kemi informacion që do të kalojë në varësi të bashkisë se Elbasanit, kjo eshte thjesht procedure tani qe do merret ne dorezim. Shume shpejt do kaloje ne varesi te Bashkise ne drejtimin me administraten e vet qe do kete qe do varet nga Bashkia”, tha Dybeli.

Ndërsa njëkohësisht ka nisur puna që ky incenerator të kalojë në varësi të 7 bashkive të qarkut Elbasan. Kontrata e koncesionit me vlerë 21.6 milionë euro përfundon në 16 dhjetor të këtij viti.

Pas kësaj date, Sh.A e ngritur nga 7 bashkitë e qarkut të Elbasanit janë angazhuar për të marrë në dorëzim asetet e këtij koncesioni si dhe impiantin e prodhimit të energjisë elektrike”.

Lidhur me këtë u pyet sot edhe zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, pas mbledhjes së qeverisë, ku gazetarët ju drejtuan, duke i thënë se “Inceneratorit të Elbasanit nesër i përfundon kontrata me qeverinë dhe sipas kontratës duhet t’i dorëzohet Bashkisë së Elbasanit, në kushtet kur ajo është nën sekuestro, ku do të përfundojnë mbetjet e Elbasanit?” Në përgjigjen e tij, zv.kryeministri tha se “Ka një procedurë të përcaktuar ligjore për gjithë ato që përmendët ju, qoftë dhe për asetin publik, pronë e pushtetit të Elbasanit”.

Kujtojmë se një ditë më parë u vu në pranga nga SPAK ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, pikërisht për korrupsion me inceneratorin e Elbasanit dhe të tjerë, ndërsa vijojnë hetimet për mbledhjen e provave të nevojshme për persona të tjerë, funksionarë publikë dhe persona fizik dhe juridikë privatë, për të cilët ka dyshime se mundet të jenë përfshirë në kryerjen e veprimeve të paligjshme.