Sportisti Marin Meksi, i sapo shpallur kampion në Kupën e Botës që u zhvillua në Portugali, ku ngriti lart flamurin shqiptar, u nderua me medaljen e mirënjohjes së qytetit të Tiranës, nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
Shqipërisë nuk i mungojnë talentet, tha Veliaj, ndërsa kampionin e cilësoi si një shembull të mirë, që promovon jetën e shëndetshme dhe nevojën për t’u marrë me sport.
“Çdo medalje që vjen në Tiranë, në një Tiranë që vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe ne duam të promovojmë sidomos jetën e shëndetshme dhe jetën sportive, jo vetëm për të pasur këtë kulturë të shëndetit, apo këto medalje, por mbi të gjitha edhe për të krijuar karakterin e qytetarit, deklaroi Veliaj.
Pasi dha mesazhin për të rinjtë që të kujdesen për veten dhe të merren me sport, kampioni theksoi se mbështetja është shumë e rëndësishme në të tilla gara jashtë vendit.
“Është vërtet fat të shkosh në një event kaq të magjishëm dhe ndërkombëtar siç është kampionati Botëror i Bodybuilding dhe Fitness-it në Portugali, kur ti ke gjithë mbështetjen e institucioneve të vendit tënd, duke filluar që nga Bashkia Tiranës, nga kryeqyteti, nga vendi ku ti vjen, ku ti ndjen të gjithë solidaritetin institucional shtetëror atë të shtetit shqiptar”.