Trajneri i Barcelonës, Xavi ka thënë se lojtarët e tij të rinj nuk mund të jenë shtylla mbështetëse e rikthimit të klubit në binarë, pasi e lejuan një gol të vonshëm në barazimin 2:2 me Osasunan të dielën.
Telashet e mëdha financiare e kanë detyruar Barçën të luajë me lojtarë të rinj këtë sezon dhe ishin dy adoleshentët Nicolas Gonzalez dhe Abdessamad Ezzalzoul – që i dhanë një epërsi 2:1 katalonasve në Estadio El Sadar, raporton Gazeta Express.
Megjithatë, goli i barazimit i Ezeuqiel Avila në minutën e 86-të ia mohoi tri pikët e plota skuadrës së Xavit, i cili thotë se nuk mund të presë shumë nga ndryshimet e reja.
I pyetur për ndikimin e lojtarëve të rinj, Xavi tha: “Është ndikim pozitiv, por edhe negativ”.
“Lojtarët të cilët po e bëjnë dallimin në Barcelonë tani për tani janë 17, 18 dhe 19 vjeç. Është pozitive për të ardhmen e klubit. Abde pati ndeshje spektakolare, po ashtu Gavi dhe Nico, por ata nuk mund të jenë shtylla e ekipit”, shpjegoi Xavi.
Barça është në vendin e tetë në La Liga me 24 pikë, plot 18 pikë larg liderit dhe rivalit Real Madrid, si dhe pesë pikë larg top katërshes.