Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka priti këtë të martë homologun malazez Đorde Radulović.
Sipas saj, marrëdhëniet Shqipëri-Mali i Zi janë faktor stabiliteti dhe model për rajonin.
“Është një kënaqësi e veçntë që mirëprita në Tiranë homologun tim Đorđe Radulović, Ministrin e Jashtëm të një vendi fqinj dhe mik siç është Mal i Zi.
E falenderoj Ministrin Radulović për vizitën dhe për mundësinë që patëm për të diskutuar nga afër për marrëdhëniet mes nesh, por edhe për situatën në rajon ku marrëdhëniet e shkëlqyera mes vendeve tona janë prej kohësh një faktor stabiliteti e sigurie por edhe një model për rajonin.
Jam e kënaqur që marrëdhëniet mes nesh kanë shënuar një progres dhe një intensifikim të dukshëm gjatë viteve të fundit. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, të cilën Shqipëria e ka mbështetur plotësisht dhe për të cilën shqiptarët e Malit të Zi kanë kontribut të patjetërsueshëm, ka kontribuar direkt në zgjerimin e dimensionit të bashkëpunimit mes nesh por edhe në konsolidimin e persepektivës euro-atlantike të rajonit.
Shqipëria konsideron Malin e Zi një partner të rëndësishëm rajonal, një aleat të pazëvendësueshëm në NATO dhe në gjithë procesin e anëtarësimit në BE.
Shqipëria, si një anëtare e ardhshme jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB, këtu gjej rastin të falenderoj dhe publikisht Malin e Zi për mbështetjen e kandidaturës sonë, ndër prioritetet e saj kryesore, do të ketë promovimin e paqes, sigurisë, zgjidhjes së konlikteve me dialog, ku padyshim rajoni ynë do të marrë një fokus e një vëmendje të veçantë. Dhe ku, patjetër, që jemi të hapur për të thelluar dialogun dhe komunikimin mes vendeve tona për të çuar përpara agjendën e përbashkët të stabilitetit dhe integrimit.
Patëm mundësinë të diskutojmë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, ku pjesë thelbësore e diskutimit tonë ishin zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e parë të dy qeverive, për hapjen e pikave të reja kufitare, rritjen e investimeve dhe projekteve në zonat ndërkufitare, me një impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së kësaj zone, transportit rrugor, ujor, hekurudhor me fokus përfshirjen e tyre me korridoret evropiane, si dhe krijimin e paketave të përbashkëta turistike.
Përtej këtyre projekteve, në kuadrin e bashkëpunimit ndërqeveritar vlerësoj angazhimin e dy qeverive tona për aplikime të përbashkëta për fondet e BE për përmirësimin e ndërlidhjes, akseve të ndryshme rrugore, bashkëpunimit shkencor, kulturor, arsimor, etj. Le ta shndërrojmë liqenin e Shkodrës në një pikë të zhvilluar e cilësore atraktive të turizmit dhe kjo ishte një nga temat të cilat diskutuam.
Ashtu siç është bërë me dije nga Kryeministrat e të dy vendeve tona, gjatë ceremonisë së hapjes së Pikës së Përbashkët Kufitare Gorem, mbledhja e radhës së takimit të përbashkët të dy qeverive parashikohet të mbahet në një të ardhme të afërt. Ndërkohë, janë një sërë projektesh të përbashkëta për të cilat jemi duke punuar.
Pas marrëveshjes për hapjen e Pikës së Përbashkët Kalimtare Kufitare Grabon-Cijevna angazhohemi për të hapur sa më parë pika të tjera kufitare pranë Adriatikut.
Duhet theksuar po ashtu që vendet tona mbeten të angazhuara për ndërtimin e Autostradës Adriatiko-Joniane, e cila duhet të mbesë prioritet strategjik, sepse lidh Evropën Qendrore me gjithë bregdetin Adriatiko-Jonian. Një projekt i tillë ka impakt jo vetëm për dy vendet tona, por do të kishte impact për të gjithë rajonin.
Një vend të posaçëm në marrëdhëniet tona luajnë edhe minoritetet. Ne jemi krenarë që shqiptarët në Malin e Zi dhe minoriteti malazez në vendin tonë kanë luajtur në vijimësi rolin e një elementi përbashkues, që pasurojnë më tej shoqëritë tona kombëtare.
Në këtë kontekst, ne besojmë që rritja e investimeve malazeze në zonat e banuara nga popullsi shqiptare, rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në pushtetin qendror dhe lokal, rritja e përfaqësimit politik në Parlamentin e Malit të Zi mes miratimit të ligjit zgjedhor do të shërbenin në forcimin e besimit reciprok mes qytetarit dhe qeverisë dhe mes etnive të ndryshme.
Ndërkohë që në anën tonë, me miratimin e Ligjit për Minoritetet, Shqipëria i ka dhënë minoritetit malazez vendin dhe vlerën që i takon. Dhe këtu gjej rastin të përshëndes dhe hapjen e Konsullatës së Nderit të Malit të Zi në Shkodër, që është një hap jashtëzakonisht i mirë.
Së fundi, nënshkrimi sot i Memorandimit të Bashkëpunimit mes Akademive diplomatike të dy ministrive tona do të konkretizojë edhe rritjen e bashkëpunimit, jo vetëm përmes Ministrive të Jashtme, por dhe përmes vetë diplomatëve tanë.
Shume faleminderit i nderuar Đorđe që je sot këtu, ishte një kënaqësi e veçantë”, tha Xhaçka.