Qeveria ka përcaktuar kriteret për shpërblimin e sportistëve shqiptarë që do të nderohen me çmime ndërkombëtare. Kështu sportistët do të mbajnë statusin e nivelit të lartë që nga momenti i marrjes së rezultatit deri në kalimin e “stafetës” në një sportist tjetër. Ata do të përfitojnë shpërblim dhe trajtim sipas përcaktimeve.

Sportistët e rinj të sporteve individuale që arrijnë rezultate të mira jashtë vendit do shpërblehen deri në masën 30% të vlerës së përcaktuar për kategorinë e të rriturve. Ndërsa trajnerët e sportistëve që kanë përfituar statusin e nivelit të lartë, shpërblehen në masën 40 % të vlerës që përfiton sportisti me këtë status.

VENDIMI

Vendim për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë, dhe trajnerëve të tyre

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 27, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e kritereve për përfitimin nga sportisti të statusit të nivelit të lartë, sipas rezultateve të arritura në veprimtaritë ndërkombëtare apo kombëtare. Klasifikimi i këtyre rezultateve në veprimtaritë ndërkombëtare dhe kombëtare jepet sipas tabelave I dhe II, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
Sportistët mbajnë statusin e nivelit të lartë nga momenti i marrjes së rezultatit zyrtar në veprimtaritë ndërkombëtare apo kombëtare deri në marrjen zyrtare të rezultatit nga një sportist tjetër pasardhës në atë sport.
Sportistët, që gëzojnë statusin e nivelit të lartë, përfitojnë shpërblim dhe trajtim, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Masa e shpërblimit financiar, për çdo rezultat të arritur, jepet sipas tabelave I e II, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij, e jepet pas shpalljes së rezultateve përfundimtare zyrtare të veprimtarisë sportive nga federata ndërkombëtare/kombëtare e atij sporti.
Integrimi i sportistëve në sistemin arsimor me drejtim sportiv, i sigurisë kombëtare e mbrojtjes dhe punësimi i tyre në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme përfitohet vetëm 1 (një) herë brenda periudhës së përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi.
Sportistët e sporteve individuale, të kategorisë “të rinj”, që arrijnë rezultate në veprimtaritë ndërkombëtare, sipas tabelës I, shpërblehen në masën 30 (tridhjetë) % të vlerës së përcaktuar për kategorinë “të rritur”.
Trajnerët e sportistëve, që kanë përfituar statusin e nivelit të lartë, sipas këtij vendimi, shpërblehen në masën 40 (dyzet) % të vlerës që përfiton sportisti me këtë status.
Sportistët e nivelit të lartë dhe trajnerët e tyre, pjesëmarrës në veprimtaritë kombëtare, të përcaktuara në rregulloret e federatave sportive përkatëse dhe në veprimtari ndërkombëtare, për përgatitjen e tyre përfitojnë trajtim ushqimor në natyrë ose në vlerë, si dhe trajtim mjekësor.
Trajtimi ushqimor është jo më pak se 2 500 (dy mijë e pesëqind) lekë në ditë, për 25 (njëzet e pesë) ditë në muaj.
Shpenzimet për trajtimin mjekësor vlerësohen sipas dokumenteve justifikuese për periudhën e trajtimit.
Trajtimi ushqimor e mjekësor për periudhën e grumbullimit dhe të pjesëmarrjes në veprimtaritë ndërkombëtare zyrtare të sportistit, sipas tabelës I, në përbërje të ekipit përfaqësues kombëtar, mbulohet nga federata sportive përkatëse.
Efektet financiare për shpërblimin e trajtimin e sportistëve të nivelit të lartë dhe trajnerëve të tyre, në sportet individuale, që arrijnë rezultate në veprimtaritë ndërkombëtare, sipas tabelës I, përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për sportin. Masa e shpërblimit për sportistët e nivelit të lartë dhe trajnerët e tyre jepet me urdhër të ministrit përgjegjës për sportin.
Për shpërblimin financiar dhe trajtimin e sportistit të nivelit të lartë, për sportet individuale, që kanë marrë rezultate në veprimtaritë ndërkombëtare, sipas tabelës I, federata sportive përkatëse paraqet kërkesën pranë ministrisë përgjegjëse për sportin. Të drejtën për të paraqitur kërkesë e ka edhe sportisti apo trajneri i tij. Kërkesa shoqërohet me rezultatin përfundimtar të analizave doping, referuar veprimtarisë ndërkombëtare, në të cilën sportisti ka marrë rezultatin. Ministria përgjegjëse për sportin verifikon përmbushjen e kritereve pas marrjes së kërkesës. Fondet alokohen për llogari të sportistit dhe të trajnerit të tij.
Gjatë vitit kalendarik, përjashtuar periudhën e grumbullimit dhe të pjesëmarrjes në veprimtaritë ndërkombëtare zyrtare të sportistit, sipas tabelës I, sportisti dhe trajneri i tij përfitojnë trajtim ushqimor e mjekësor për përgatitjen sportive dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë kombëtare zyrtare.
Efektet financiare për shpërblimin e trajtimin e sportistëve të nivelit të lartë dhe trajnerëve të tyre, që arrijnë rezultate në veprimtaritë kombëtare, sipas tabelës II, përballohen nga fondet e njësive të vetëqeverisjes vendore ose të ardhura të tjera të ligjshme. Masa e shpërblimit për sportistët e nivelit të lartë dhe trajnerët e tyre jepet me urdhër të kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Për shpërblimin financiar dhe trajtimin e sportistit të nivelit të lartë, për sportet individuale, apo të ekipit sportiv, për sportet kolektive, që kanë marrë vendin e parë në kampionatin kombëtar, organizata sportive përkatëse, që ushtron veprimtarinë në territorin e njësisë së vetëqeverisjes vendore, paraqet kërkesën pranë saj. Të drejtën për të paraqitur kërkesë e ka edhe sportisti apo trajneri i tij. Kërkesa shoqërohet me rezultatin përfundimtar të federatës shqiptare të atij sporti, referuar kampionatit kombëtar, në të cilin sportisti apo ekipi sportiv ka marrë vendin e parë. Njësia e vetëqeverisjes vendore verifikon përmbushjen e kritereve pas marrjes së kërkesës. Fondet alokohen për organizatën sportive të sportistit/ekipit sportiv dhe trajnerit të tij, për llogari të këtyre të fundit.
Sportistët, të cilët kanë përfituar statusin e nivelit të lartë, pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.105/2020, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.79/2017, “Për sportin”, trajtohen sipas parashikimeve të këtij vendimi.
Vendimi nr.687, datë 14.11.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive të sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë”, shfuqizohet.
Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe organizatat sportive shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ