Në 109-vjetorin e Policisë së Shtetit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me drejtues të tjerë të pushtetit lokal, uruan uniformat blu në një ceremoni të zhvilluar nga Drejtoria e Policisë Vendore e Tiranës. Në fjalën e tij, Veliaj theksoi mirënjohjen e thellë ndaj çdo punonjësi të Policisë që sakrifikon për rendin dhe qetësinë e qytetarëve të Tiranës, por edhe gjithë Shqipërisë.
“Shumë faleminderit për shërbimin dinjitoz që i bëni qytetit dhe vendit tonë. Në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës, ju them gëzuar festën! Jemi jashtëzakonisht krenarë për secilin prej jush, për sakrificën që bëni, jo vetëm në punë, por ndaj familjeve tuaja ku mungoni, jam i sigurt, me orë të gjata. Fakti që ky qytet sot nga Eurostat-i cilësohet si një nga qytetet më të sigurta në Europë është meritë e Policisë së Shtetit, djemve dhe vajzave që shërbejnë nën uniformë dhe e bëjnë këtë qytet më të sigurt çdo ditë. Ndaj, dua që ky qytet, në këtë ditë, të kujtojë policët e rënë, të kujtojë ata që sakrifikojnë përditë, ata që lënë familjet me ditë të tëra, ata që shërbejnë për ditën e Vitit të Ri, për ditët e festave, për fundjavat ku shumica pushojnë, është një sakrificë që qyteti duhet ta dijë dhe duhet të tregojë mirënjohje,” u shpreh Veliaj.
Veliaj solli në vëmendje edhe faktin se këtë vit Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë. “Ne kemi shans të jashtëzakonshëm këtë vit. 2022-shi është viti ku ne jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe një pjesë të miteve dhe legjendave që thuhen për Shqipërinë si vend problematik kemi mundësinë t’i zhbëjmë. Do të vijnë pafund delegacione, kryetarë bashkish, kryeministra, presidentë, shumë autoritete të larta të Europës, por edhe turistë, për të parë me sytë e tyre që ky është një vend i sigurt, pasi Policia e Shtetit është ndër më profesionalet në rajon,” tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës vlerësoi edhe faktin se Policia e sotme është pastruar nga elementë si ato që u panë në skenat e dhunës në selinë e PD pak ditë më parë.
“Policia e Shtetit ka pasur edhe një aftësi të jashtëzakonshme vitet e fundit, aftësinë për t’u vetë korrektuar. Kur pashë atë skenën te “Rruga e Elbasanit”, me ish-policë shteti dhe ish-policë bashkie të një regjimi të kaluar, thashë ky ishte vendimi i duhur. Kemi hequr nga radhët tona njerëz të hurit dhe të litarit. Po rriheshin me njëri-tjetrin ish-policë të shtetit me ish-policë të bashkisë, të ndarë në dy kampe të së njëjtës parti, e u desh policia profesionale e shtetit të ndante palët, të ndalte ata që po thyenin kafkat e njëri-tjetrit,” u shpreh ai. Veliaj e mbylli fjalën e tij duke thënë se proporcionalisht me rritjen e Tiranës po rriten edhe nevojat për efektivë policie në kryeqytet.