Në atë ashtuquajturin ‘primare’ për të përcaktuar kandidatët e tij në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, Sali Berisha dhe Komisioni i tij i Rithemelimit ka përdorur simbolet e Partisë Demokratike, emrin e saj dhe sigurisht edhe logon dhe vulën e PD, të cilat Berisha pretendon se ka rikthyer ato të vjetrat përmes vendimit të Kuvendit që ai vetë mbajti më 11 dhjetor në ‘Air Albania’.
Në fletët e votimit, në vulën në fletët e votimit si dhe në çdo deklaratë publike, Komisioni i Rithemelimit dhe Sali Berisha kanë përdorur rëndom emrin ‘Partia Demokratike e Shqipërisë’.
Sipas të gjithë ligjeve në fuqi në vend, teksa çështje është ende në Gjykatën e Tiranës për tu zgjidhur, Partia Demokratike e Shqipërisë ka një kryetar që është Lulzim Basha, ka një Kryesi që nuk është Komisioni i Rithemelimit dhe ka simbolet e saj që ka të drejtë t’i përdorin vetëm institucionet zyrtare të saj.
Ligji për partitë politike e thotë qartë se si zgjidhet një situatë e tillë si ajo e krijuar në Partinë Demokratike.
“Në rastin e ndarjes së partisë politike me marrëveshje, ndërmjet palëve vendoset për përkatësinë e emrit, të simbolit, të flamurit të partisë dhe të pasurisë. Kur nuk ka marrëveshje midis palëve, kjo bëhet me vendim gjykate”, thuhet në nënin 25 në ligjin “Për Partitë politike”.
Neni 25 i ligjit “Për Partitë Politike”
Ligji e thotë qartë nënin 9 të tij se “regjistrimi i partive politike bëhet në gjykatën e shkallës së parë të rrethit të Tiranës, e cila mban regjistrin e partive politike. Në regjistrin e partive politike shënohet numri rendor i regjistrit, numri i aktit, numri i vendimit gjyqësor, data e shpalljes, dispozitivi i vendimit, emri i plotë i partisë, inicialet e partisë, stema e partisë, përshkrimi i konfiguracionit të vulës, emri i kryetarit, numri i anëtarëve themelues shënime për ndryshimin e emrit, konfiguracione të vulës ose të kryetarit të partisë, fshirjes apo mbarimit të veprimtarisë së subjektit, data e bërjes së shënimit, emri, si dhe nënshkrimi i nëpunësit kompetent”.
Neni 9 i ligjit “Për Partitë Politike”
Në nenin 12 të ligjit thuhet në mënyrë të pa ekuivok se Neni 12 “Emri i një partie duhet të jetë i dallueshëm qartë nga ai i partive të tjera ekzistuese. Inicialet dhe emblemat e partive politike nuk duhet të përputhen. Në zgjedhje përdoren vetëm emrat ose inicialet e partive politike që janë të regjistruara”.
Neni 12 i ligjit “Për Partitë Politike”
Berisha dhe Komisioni i tij i Rithemelimit kanë shkelur haptazi ligjin i cili thotë se “dispozitat e këtij ligji për regjistrimin e partive politike janë njëlloj të vlefshme për ndryshimet dhe fshirjet në regjistrimet e mëparshme. Kërkesa për ndryshime në regjistrin e partive politike bëhet nga organi i partisë që ka në kompetencë përfaqësimin e saj ndaj të tretëve”.
Neni 14 i ligjit “Për Partitë Politike”
Pra, për ta përmbledhur: Sali Berisha ka shkelur ligjin sepse është duke zhvilluar aktivitet si një parti politike ende pa pasur një vendim gjykate. Sali Berisha i ka vjedhur emrin një partie tjetër! Ai nuk e ka zgjidhur ndarjen e partisë as me marrëveshje dhe as me vendim gjykate. Sali Berisha ka përdorur një logo dhe një vulë ende pa u shprehur gjykate për këtë çështje sipas ligjit.
Sali Berisha dhe ‘primaret’ e tij ishin në ilegalitet të plotë. Përveç tij vetë nuk i njeh askush! Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njohu Lulzim Bashën dhe PD-në për zgjedhjet e ardhshme por Berisha vijon me të tijën, se e ka ai Partinë Demokratike.
Komisioni i Rithemelimit u bë dje i pari nga kampi opozitar që shpalli emrat e kandidatëve të zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit. Përmes primareve të Sali Berishës kandidat për bashkinë e Vorës u shpall Lulzim Vrana me profesion ekonomist, në një proces numërimi pa praninë e mediave. Durrësi do të përfaqësohet me urbanistin Ardian Muka, Shkodra me Bardh Spahinë, Dibra do të përfaqësohet nga Premtim Kryemadhi i cili karrierën ia ka dedikuar arsimit. Në Lushnjë do të kandidojë juristi Elton Bano i cili mori 671 vota nga demokratët, ndërsa Rrogozhina nga Hekuran Xhani i cili është mjek veteriner. Arben Ristani paralajmëroi më herët pjesëmarrjen në një koalicion me partitë e tjera opozitare të cilat do të qëndrojnë krah ish-liderit demokrat. Selia blu reagoi menjëherë nëpërmjet një deklarate, ku tha se as Berisha dhe as emrat që kanë fituar s’kanë lidhje me demokratët dhe Partinë Demokratike. Sipas PD Rama bashkë me Berishën po krijojnë një parti që të shkatërrojnë PD-në./ Shqiptarja.com