Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thënë në një prononcim për mediat nga selia blu, se është i vendosur ta dërgoj deri në fund misionin e ndërmarrë. Pyetjes se a do të kalojë në një votëbesim, Basha iu përgjigj se jo dhe se do të bëj gjithçka për të ngjallur shpresën.

“Demokratët janë të vendosur të bëjnë atë që kanë marrë si mision, për t’i shërbyer njerëzve. Unë jam vendosur në këtë mision. E di që kam njerëz që s’më duan në drejtimin e PD, s’më do Berisha, Rama, Zamir Mane, Shefqet Kastrati, një pjesë pronar medias.

Ju nuk doni të jeni pjesë e kësaj kaste. Ju doni të jeni njerëz të lirë. Misioni im ky është, të bëj gjithçka e as të mos dorëzohem e që shpresat tuaja, të bëhen realitet, e ju të mos jeni skllevër i tranzicionit”, u shpreh Basha.

Ai tha më tej, se Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi nuk ka përdorur mjete me lëndë plasëse, për të cilën akuzohet nga policia. Ai tha se nga brenda godinës nuk është përdorur gaz lotsjellës, e se i vetmi material është zjarrfikësja.

“Dua të refuzoj çdo akt dhune që është kryer nga një grusht banditësh të sjellë nga Sali Berisha këtu, e jo nga demokratët. Ata patën ardhur me një qëllim, që nëse kjo parti nuk kthehej në një bunker për të të shkatërrohet PD. Ai donte të kthente gjak. E patë se si qeshte dje e sot. Ai u kthye në skenën e krimit dhe qeshte. Pjesa tjetër është manovër e Edi Ramës dhe Sali Berishës. Gazment Bardhi s’ka të bëj me lëndë plasëse. Ne jemi mbrojtur me bombola me materialin që fik zjarrin. Kur policia ndërhyri me zjarr efekti ishte i tmerrshëm.

Kjo hedh poshtë gënjeshtrën e Berishës dhe Ramës. Këta janë dy gënjeshtarë patologjikë. Nuk dua të flas me shumë se sa kam folur për ata të dy. Ata mendojnë që kjo dhunë mund të na ketë frenuar në rrugën drejt ndryshimit. Shumica e shqiptarëve duan ndryshim dhe autorët e kësaj ngjarje janë trekëndëshi i Bermudës. Sfida jonë është që ditë pas dite ta rindërtojmë jo vetëm PD, por edhe shpresën e shqiptarëve ku shumica do të jetë shumicë dhe pakica do të japë llogari për të gjitha ato që i ka bërë shumicës drejt kësaj dite”, tha kryedemokrati.