Niveli i dobët organizativ i klubeve shqiptare, mbi të gjitha ato të elitës, del edhe një herë në pah në çështjen e fondeve të FIFA-s. Gjatë asamblesë së fundit, por edhe më vonë, asnjë prej klubeve nuk e ka përmendur ose nuk e ka pyetur federatën dhe t’i kërkojë llogari:
– Sa para ka dhënë FIFA për ne? – Si u ndanë këto para për klubet e futbollit? – Sa tamponë, maska apo të tjera masa mbrojtëse u blenë për komunitetin e futbollit dhe cili është bilanci përfundimtar?
Mirëpo, kjo nuk ndodh, sepse një pjesë e madhe e përfaqësuesve të klubeve nuk i kuptojnë raportet, ndërsa një pjesë tjetër as marrin mundimin t’i lexojnë ato.
Tani me të drejtë, pronarët e klubeve, individë apo bashki, mund t’u kërkojnë llogari zyrtarëve të tyre se si është e mundur që nuk kanë pikë interesi për para që u takojnë atyre dhe që mund të lehtësonin sadopak krizën financiare me të cilën u përballën gjatë pandemisë./Panorama sport