Ministria e Shëndetësisë së Australisë njoftoi se kanë regjistruar numrin më të lartë të rasteve ditore me koronavirusin e ri (COVID-19), përderisa vendi lufton me variantin Omicron.

Gjatë 24 orëve të fundit, Australia raportoi 64.767 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 612.106, prej të cilëve 2.289 persona kanë humbur jetën.

Numri i rasteve shënon rritje domethënëse këto ditë, pasi dje u raportuan 47.816 raste, ndërsa të hënën, 37.239.

“Me variantin Omicron, siç e dimë, siç ka thënë Shefi i Mjekësisë në disa raste tani, ky është një lloj më pak i rëndë, por më ngjitës”, tha kryeministri Scott Morrison pas një takimi të kabinetit, duke shtuar: “Si rezultat, kemi të bëjmë me nivele shumë më të larta të rasteve”.

Në një përpjekje për të kundërshtuar përhapjen e Omicron, autoritetet kanë përshpejtuar vaksinimin, veçanërisht vaksinat përforcuese. Në një deklaratë, ministri i Shëndetësisë Greg Hunt tha se dje në Australi u administrua një numër rekord prej 176.223 vaksinave përforcuese.

Australia deri më tani ka vaksinuar plotësisht 91,6 për qind të personave më të moshuar se 16 vjeç, ndërsa 94,5 për qind e njerëzve kanë marrë dozën e tyre të parë të një vaksine kundër COVID-19.