Seanca e sotme plenare ka nisur me debate për shkak të ndryshimeve që kreu i PD Lulzim Basha ka bërë në përbërjen e Grupit Parlamentar, por edhe në atë të Komisioneve Parlamentare. Deputetë mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha e kanë akuzuar mazhorancën se po “mban me hatër” opozitën e Bashës.

Përgjigje Shehut, Bylykbashit dhe Nokës u ka kthyer kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i cili tha “qoftë larg”, që shumica qeverisëse të merret me punët e brendshme në PD.

Po ashtu, duke mos e kursyer ironinë, Balla u tha deputetëve të opozitës që t’i gëzojnë dhe t’i kenë për vite me radhë problemet që kanë aktualisht.

“Gjatë këtyre gjashtë muaj e gjysmë punë, të kemi mundësinë të kalojmë vendime të duhura në dobi të qytetarëve. Qoftë larg që të hyjmë në punët tuaja të brendshme. I gëzofshi, i paçi për vite me radhë se ne ua thamë se këtu do përfundoni. Noka më etiketioi që po marr në mbrojtje, apo po bëhem zëdhënës i grupit të PD. E gëzofshi çfarë ju ka gjet. Ne thjesht duam të punojmë për çështje të rëndësishme.”

Po ashtu, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, duke iu drejtuar opozitës, tha se nuk do të kenë asnjë herë mundësinë që të kalojnë situata të ngjashme me ato që PS kaloi kur ishte në opozitë në kohën kur kryeministër ishte Sali Berisha.

“Atë që kemi hequr ne me ju, kur ishte Berisha kryetar, në opozitë kurrë nuk keni për t’i vuajtur nga ana jonë në shumicë.”

Më tej, Balla i bëri thirrje opozitës që ta lënë politikën dhe përçarjen mënjanë dhe të përmbyllin diskutimet për ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e afateve të organeve të vettingut, për çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi, ngushtimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Kosovën dhe Parlamentin e saj etj.