Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi sot një takim me Gjeneral Major, Obaid Al Keitbi, ish-Komandant i Kampit të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kukës, në vitin 1999.

Balla kujtoi se “gjatë Luftës në Kosovë Emiratet e Bashkuara Arabe ndërmorrën operacionin e parë humanitar në Europë gjatë konfliktit në Kosovë”.

“Në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, Emiratet e Bashkuara Arabe ndërtuan një kamp refugjatësh në Kukës për të strehuar dhe mbrojtur mijëra refugjatë kosovarë. Duke marrë shkas nga eksperienca e tij Gjeneral Major Obaid Al Ketbi, na rikujton ngjarjet e ndodhura në konfliktin e 1999 dhe vuajtjet e popullit kosovar. Refleksione të cilat hedhin dritë mbi një operacion humanitar tejet kompleks dhe të vështirë për t’u menaxhuar për shkak se rrethanat ndryshonin çdo ditë”, tha Balla.

Sipas tij, “Gjeneral Al Keitbi tregoi se një nga prioritet kryesore të mbështetjes humanitare arabe ishte pikërisht shëndeti mendor i fëmijëve refugjatë”.

“Shëndeti mendor sigurisht nuk ishte një nga prioritetet e operacioneve humanitare të viteve ’90, por për shkak të impaktit në popullatë të krimeve makabre të kryera nga forcat ushtarake serbe në Kosovë, fokusi në këtë drejtim ishte domosdoshmëri”, tha ai