Ish-deputeti Klevis Balliu i ka bërë thirrje kreut të PD-së që t’u hapë rrugë zgjedhjeve në parti. Në një reagim në Facebook, ai shkruan se qëllimi i Foltores, Kuvendit të 11 dhjetorit e referendumit të 18 dhjetorit janë zgjedhjet në PD. Balliu thekson se demokratët kanë të drejtë ta zgjidhin çështjen në mënyrë demokratike dhe se dyert e blinduara e kapuçët e zinj nuk janë vlerat që përfaqësojnë PD-në.
Ai shton se nuk ka derë e kapuç që të ndalojë të drejtat e demokratëve për të zgjedhur. “Zoti Basha hapi rrugë zgjedhjeve në parti Që nga Foltorja, Kuvendi i 11 Dhjetorit apo edhe Referendumi i 18 Dhjetorit, qëllimi i gjithë kësaj lëvizje historike, janë zgjedhjet brenda Partisë Demokratike. Demokratët kanë të drejtë ta zgjidhin këtë çështje me votë dhe në mënyrë demokratike.
Dyert e blinduara dhe kapuçët e zinj nuk janë vlerat që përfaqësojnë Partinë Demokratike. Zgjidhja janë zgjedhjet, të votohet dhe cilido të jetë fituesi, qoftë ky zoti Basha apo kushdo tjetër nga ato zgjedhje, demokratët do të bashkohen. Nuk ka derë dhe nuk ka kapuç që do të mund të ndalojë të drejtat e demokratëve për të zgjedhur. Nesër të gjithë bashkë në orën 12:00 tek selia jonë për të kërkuar dhe për të mbrojtur vlerat demokratike që na përfaqësojnë. RROFTË PARTIA DEMOKRATIKE.” – shkruan Balliu.