Fatbardh Kadilli, ish-kandidat për kryetar të PD, foli mëngjesin e së mërkurës në Dita Jonë për situatën aktuale politike në partinë më të madhe opozitare në vend. Kadilli u shpreh se vendi ka nevojë për një opozitë të re, përtej Bashës e Berishës.
“Kemi detyrimin t’u ofrojmë shqiptarëve opozitë dhe nuk kemi asnjë shans tjetër veçse të krijojmë një opozitë krejtësisht të re, një opozitë të shkëputur nga e shkuara. As modeli i Bashës, as ai i Berishës, edhe pa ndodhur këto që ndodhën, nuk duhet të ishin më ofertë politike për demokratët, të cilët nuk duhet të jenë të dënuar të shohin mes njërit apo tjetrit”, tha ai.
Më tej, ai u shpreh se në PD ka njerëz që mund ta çojnë partinë drejt fitores, por sipas tij, këtë nuk e bën dot as Basha dhe as Berisha.
“PD është një parti shumë e madhe, e cila ka lindur nga idealet. Ata njerëz që u bashkuan PD-së që në ditën e parë, kanë qenë njerëz me guxim dhe këta janë shtuar. PD mund të ketë me mijëra persona për të krijuar ekipet e reja politike. Problemi është se kryetari kthehet gati në një mbret. Basha dhe Berisha duhen harruar, me asnjërin nuk fitojmë dot”, tha Kadilli.