Nga Carlo Bollino
Edhe këtë herë, të parashikohej se cfarë do të ndodhte, nuk ishte e vështirë. Pasi parashikuam se braktisja e Kuvendit dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore ishin gabime fatale për Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike, ishte po ashtu e lehtë të parashikonim se pengimin e Sali Berishës dhe turmën e militantëve të tij të pushtonin me forcë selinë e PD-së, do ta kryente Policia e Shtetit.

E shkruajtëm me 19 dhjetor dhe e përsërisim: Eshtë detyrim kushtetues i policisë që të ndërhyjë kur kërcënohet rendi publik ose një pronë, publike apo private qoftë. Vetëm në botën virtuale ku Sali Berisha vazhdon të jetojë, policia është pronë e Edi Ramës dhe selia e PD-së është pronë e familjes së tij. Sot ndërhyrja e forcave speciale, e kërkuar nga disa deputetë të PD-së, i dha fund 90 minutave të një dhune urbane përmes të cilës një grup i vogel militantësh berishianë u përpoq të sulmojë selinë e PD-së brenda së cilës Lulzim Basha ndodhej me stafin e tij.

Berisha, si zakonisht, gënjeu edhe përballë qartësisë, dhe ndërsa pamjet e televizioneve tregonin militantët e tij duke thyer dyer e dritare e duke shkulur me varretë që përdorin hajdutët, dyert e blinduara të vendosura nga Basha, duke sulmuar kështjellën e PD-së me shkallë si në një skenë otomane, doktori plak këmbëngulte të thonte se ishte një protestë paqësore. Eshtë vizioni i zakonshëm relativ i Berishës që vjedh, por akuzon të tjerët se janë hajdutë.

Ndoshta i këshilluar nga ekspertë ndërkombëtarë (apo thjeshtë tashmë i liruar nga influenca djallëzore e Berishës) këtë herë Lulzim Basha përdori një strategji perfekte. Lejoi që krahu i armatosur i berishianëve të tregonte natyrën e vërtetë dhe vetëm pas 90 minutave sulm, kërkoi ndërhyrjen e policisë, kusht i domosdoshëm për të lejuar veprimin e forcave speciale.

Eshtë e kotë të themi se edhe nga beteja e 8 janarit Sali Berisha doli i humbur. Berisha humbi pasi, ndryshe nga sa premtoi, nuk arriti të pushtojë selinë e PD-së. Humbi sepse sot shënoi një njollë të pashlyeshme në historinë e tij politike, atë të urdhërit të një sulmi tepist ndaj selisë së partisë së tij, duke e transformuar në një skenë krimi. Berisha humbi pasi me veprimin të sotëm i lejoi Lulzim Bashës të stërfitojë edhe provën e forcës fizike, pas asaj politike, jo vetëm duke qëndruar brenda zyrës së tij, por edhe duke marrë mbështetjen e menjëhershme të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian.

Por mbi te gjitha Sali Berisha humbi sepse sot u rrëzua një tabu’: ndërhyrja e policisë, që në pak minuta i dha fund protestës së tij vetëvrasëse, tregon se edhe imunitet dhe pandëshkushmëri i tij mbaruan. Tani askush nuk mund të habitet nëse pas forcave speciale që ndërhynë për ta dëbuar nga PD, do të jetë SPAK që më në fund do të merret me Sali Berishën dhe familjen e tij për krimet e kryera.