Robert Lewandowski mund të largohet nga Bayern Munich në verë. Kontrata e bomberit polak me bavarezët skadon në vitin 2023 dhe, sipas Bild, klubi i ka dhënë ish-lojtarit të Borussia Dortmundit dy opsione: ose të rinovojë me pagë më të ulët, ose të transferohet në verë.
Lewandowski është 33 vjeç dhe në politikën e Bayernit ka vetëm një vit vazhdim të kontratës për lojtarët me moshën mbi të 30-tat. Kartoni i tij do të vlerësohej 50 milionë euro. Gjithashtu, sipas gazetës gjermane mund të ketë një akord 2-vjeçar me sulmuesin. Menaxhmenti bavarez dëshiron që situata e tij të qartësohet sa më shpejt të jetë e mundur, për të punuar mbi një zëvendësues, qoftë Haaland apo dikush tjetër.
Bomberi polak, pas gala-së së FIFA-s, ku fitoi çmimin si lojtari më i mirë, tha: “Jam i fokusuar vetëm te vetja. Haaland? Është një lojtar i madh, por ne kemi karakteristika të ndryshme”. Sipas Bild, Robert tani për tani është shumë i qetë, mendon vetëm për Bayernin dhe në fund të sezonit do të analizojë të gjithë skenarët e mundshëm.