Komisioni për Veprimatrinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskutoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe (KFW) për rehabilitimin me eficiencë energjetike të konvikteve studentore të Universiteteve Publike në Shqipëri”.
Zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja tha se programi i qeverisë synon rritjen e eficiencës së energjisë në ndërtesa.
Për këtë qëllim, vijoi Bejtja, një pjesë e ndërtesave po futen në procesin e rikonstruksionit për përmbushjen e standardit të eficiencës. Sipas tij, objektivi është që brenda vitit 2030 të kemi përmbushur 15,5% të eficiencës energjetike që sjell një kursim prej 100 milionë euro në vit, në buxhetin e shtetit.
“Përmbushjes së këtij qëllimi i shërben edhe projektligji që diskutojmë sot”, tha Bejtja.
Sipas tij, nëpërmjet këtij projektligji synohet të financohen nga KfW-ja gjermane një hua, në shumën e 20 milionë euro, për rehabilitimin me eficiencë energjetike të konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri.
Bashkëpunimi me KfW është i shtrirë në fushën e ujësjellës-kanalizimeve, energjisë dhe të mbetjeve dhe në këtë kuadër qeveria gjermane ka akorduar grante dhe kredi në shuma të konsiderueshme. Vlera e angazhuar nga KfW me anë të kredive është 778 milionë euro ku peshën më të madhe e zënë investimet në sektorin e energjisë.
Qëllimi i huasë është të kontribuojë në rehabilitimin energjetik të konvikteve dhe
ndërtimin e disa konvikteve të reja. Me anë të realizimit të programit synohet
që, nëpërmjet aplikimit të masave të eficiencës së energjisë, të kursehet ndjeshëm energjia në godinat studentore të rehabilituara, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, t’u sigurohen studentëve kushte jetese të përshtatshme dhe kosto të arsyeshme akomodimi në godinat e konvikteve.
Aktualisht, janë në fazë zbatimi tre marrëveshje financimi për fazën I, II dhe III, të lidhura me KfW-në.