Masat e shtrëngimit për përballjen me pandeminë COVID-19 në shkollat belge janë bërë vështirësisht të menaxhueshme dhe zbatueshme. Sipas autoriteteve federale belge, me qindra shkolla dhe mijëra klasa janë mbyllur si rrjedhim i nxënësve të infektuar me COVID-19. Statistikat flasin për të paktën 100 shkolla dhe 1000 klasa të mbyllura. Kjo ka shtyrë ministrat belgë të arsimit dhe shëndetësisë të zbusin masat e karantinimit në shkolla.

Ministrat vendosën të mërkurën që vetëm nxënësit që janë të infektuar me COVID ose kanë simptoma të koronavirusit duhet të karantinohen në shtëpi. Sipas vendimit të ri, një klasë nuk do të duhet të kalojë më në karantinë të plotë nëse numri i nxënësve të infektuar është katër.

Vendimi i ri në nivelin federal parashikon qartësisht zbutje të masave të karantinimit në shkolla dhe çerdhe edhe në bazë individuale. Fëmijët që kanë qenë në kontakt me një rast të rrezikut të lartë të infektimit me COVID-19 në gjirin e familjes së tyre do të lejohen të shkojnë në shkollë. Fëmijët në fjalë nuk janë më të detyruar të qëndrojnë në shtëpi nëse ata nuk kanë simptoma infektimi. Por, ministrat belgë të arsimit dhe shëndetësisë rekomandojnë kryerjen e autotesteve për fëmijët.

Në arsimin e mesëm, një karantinë e detyrueshme prej dhjetë ditësh vazhdon të zbatohet në rast kontakti me rrezikshmëri të lartë të infektimit me COVID-19 nëse nxënësi nuk është i vaksinuar.