Kryeministri, Edi Rama, ishte i pranishëm në mjediset e Universitetit Bujqësor të Tiranës, në kuadër të prezantimit të programit të doktoraturave në bujqësi, mundësuar nga projekti “Zhvillimi i Qëndrueshëm Rural”, një financim nga Qeveria Gjermane që zbatohet nga GIZ. Kryeministri gjatë fjalës së tij u ndal në bashkëpunimin shumë të ngushtë mes Qeverisë dhe Universitetit Bujqësor si një bashkëpunim shumë i dobishëm në mbështetje të një sektori jetik, i cili është në një fazë delikate të jetës së vetë për shkak të domosdoshmërisë për sa më shumë dije dhe inovacion.
Gjithashtu, Rama tha se sot është një ditë e veçantë për universitetin: “Sepse sot hapet një proces doktoraturash i një cilësie të garantuar. Do ju jepet mundësia 30 individëve me vlerë të spikatur në rrugën e tyre, që të zhvillojnë një doktoraturë e cila të ketë vulën e universitetve më të mira të fushës, në Gjermani, apo vende të tjera të BE-së. Kjo është rruga jonë, ku duhet të ecim dhe ky është modeli që ne duhet të shtrijmë në të gjithë sistemin për doktoraturat.” “Ne nuk duhet të japim doktoratura lokale. Ne nuk duhet të kemi, në të ardhmen tonë jo shumë të largët, universitete lokale. Ne duhet të kemi një sistem të lartë arsimor të ndërkombëtarizuar dhe një botë universitare të integruar në sistemin europian.”, u shpreh Rama.
Gjithashtu, në kontekstin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, zgjerimi i partneriteteve me universitetet jashtë vendit janë në fokus të Qeverisë, si nisma të domosdoshme që synojnë, hapjen ndaj përvojave të reja evropiane e më gjerë. Përzgjedhja e 30 fituesve, pas hapjes së thirrjes në fund të janarit, do të bëhet nga një komision i posaçëm në bazë të kritereve të dakordësura ndërmjet GIZ, Universitetit Bujqësor dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Startimi i programit do të bëhet në fillim të marsit dhe ka si qëllim përfshirjen e barabartë të grave dhe burrave nga të gjitha zonat e Shqipërisë, si një nga përparësitë e Qeverisë për përfshirjen e sa më shumë grave dhe vajzave në sektorin bujqësor.
Pas përfundimit me sukses, studiuesit e kanë të përcaktuar rikthimin dhe qëndrimin në Shqipëri, për të paktën 5 vjet, në mënyrë që përvoja e fituar të reflektohet sa më shumë në vendin tonë. Ky program synon përfshirjen e sa më shumë të rinjve në sektorin bujqësor dhe rural, kualifikimin e mëtejshëm të studentëve ekselentë dhe profesionistëve të rinj, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universitetit, sektorit publik dhe privat në Shqipëri si dhe, integrimin e njohurive teorike e praktike, me shembujt më të mirë të Bashkimit Europian.