Shifrat e Cristiano Ronaldos në këtë sezon janë të mira, 14 gola nga 29 që ka shënuar Manchester United kur ai ka qenë në fushë tregojnë sesa vendimtar është. Por ylli portugez është i shqetësuar për të ardhmen e sezonit të Djajve të Kuq.
Sipas mediave angleze, portugezi është i frustruar me paraqitjet e ekipit të tij dhe i zhgënjyer me taktikat dhe stilin e trajnerit të përkohshëm Ralf Rangnick. Për këtë qëlllim, menaxheri Jorge Mendes ka fluturuar drejt Anglisë për të adresuar shqetësimet e klientit të tij.
Cristiano Ronaldo erdhi te Manchester United me ambicien për ta rikthyer te titulli. Kjo jo vetëm që nuk mund të ndodhë këtë sezon, por vihet në dyshim të fortë edhe pjesëmarrja në Champions League. Kjo do të sillte largimin e Ronaldos dhe destinacioni më i mundshëm mbetet Barcelona.
Marrëdhënia e mirë e agjentit të tij, Jorge Mendes, me Laporta, si dhe nevoja që klubi blaugrana ka për të gjetur përforcime të klasit të parë në sulm me kosto jo të larta, e vendos emrin e portugezit në tavolinë. Mbetet për t’u vlerësuar, sepse nëse Ronaldo do t’i kushtojë vetëm 15 mln euro si blerje, rroga e tij është dyfishi.