Reshjet e dëborës kanë sjellë problematika edhe në qarkun e Kukësit. Policia apelon drejtuesit e automjeteve që të bëjnë kujdes dhe të reduktojnë shpejtësinë në rrugë. Ajo kërkon që të përdoren pajisjet dimërore duke treguar edhe akset që janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

“Për shkak të motit të keq me temperatura të ulëta dhe reshje dëbore, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës ka rritur prezencën e shërbimeve policore në akset rrugore urbane e rurale, për t’ju ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve. Njëkohësisht po bashkëpunohet me pushtetin vendor dhe firmat kontraktuese për mirëmbatjen e rrugëve, si dhe me Njësinë Rrugore për Sigurinë e Autostradës Milot-Morinë, për të bërë të mundur rritjen e sigurisë në rrugë dhe pastrimin e rrugës nga dëbora.

Meqenëse priten temperatura akoma më të ulëta në ditët në vijim dhe për rrjedhojë mund të këtë prani të ngricave dhe akull në rrugë, DVP Kukës apelon për të gjithë drejtuesit e rrugës të bëjnë kujdes të madh, të reduktojnë shpejtësinë, të përdorin pajisjet dimërore dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Për çdo ndihmë, telefononi në numrin 112 ose dërgoni njoftim në Komisariatin Dixhital, shërbimet e Policisë që operojnë në qarkun e Kukësit do t’ju vijnë në ndihmë menjëherë.”, njofton policia.

Akset rrugore të kalueshme me zinxhirë:

Kukës- Shishtavec
Kukës -Shëmri.
Bajram Curri-Valbonë.
Bajram Curri-Qafë Morinë
Bajram Curri-Qafë Luzhë.
Në akset e tjera nuk ka problematika.