Nga Artur Ajazi/

Zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, (kryesisht në kampin e rrënuar opozitar) janë në fakt një dëshmi flagrante e deformimit substancial të sistemit politik shqiptar. Në të gjithë vendet e botës demokratike, padyshim edhe në rajonin e Ballkanit, politikanët largohen kur nuk marrin në zgjedhje rezultatet e pritshme, apo nuk arrijnë objektivin e përcaktuar elektoral.

Por ka kohë, që kjo nuk ndodh në një pjesë të politikës shqiptare. Politika kuptohet si zgjidhja e konflikteve mes individëve, është procesi që shoqëria përcakton në mënyrë autoritare lidhjen e burimeve me vlerat, është proçesi ku merren vendimet për programet politike zhvillimet dhe strategjitë afatgjata. Gjithashtu, politika është ushtrimi i pushtetit dhe influencës, në dobi të popullit. Weberi thotë se “politika kuptohet si bashkësi aktivitetesh që janë të rëndësishme për të qeverisur njerëzit,dhe prezantohet nga elemente thelbësore të saj”. Fakti është se njerëzit e thjeshtë, janë gjithmonë “viktima” të politikave qëllimisht të gabuara. Njerëzit në një mënyrë apo tjetër, e pranojnë politikën, edhe pse nuk kanë në dorë asnjë instrument influence në vendimmarrjet e saj. Pothuajse të gjithë njerëzit kur i pyet , shprehen se “nuk janë të interesuar për politikën dhe se nuk merremi me politikë”.

Të vërtetat e politikës shqiptare flasin ende për një nivel mediokër dhe provincial të saj, si një “ecje mbrapsht” në vrullin e kohës. Është ky deformim substancial i një pjese të politikës,që ka krijuar ngërç në avancimin e proçeseve demokratike në shoqëri. Mjafton të kujtojmë, reagimin e fortë në kampin opozitar, pas ikjes demonstrative të Mark Markut, që realisht duhej trajtuar si humbje dhe problem për PD-në. Por ka ndodhur e kundërta, pasi i janë sulur atij, madje edhe ata që e quajnë vehten “intelektualët e rinj të partisë”. Deformimi i përfaqësimit politik në Shqipëri është rast unik për demokracinë, në krah të së cilës pretendojmë se jemi prej 30 vitesh. Asnjë vend europian që ka zgjedhur demokracinë si sistem, nuk ka arritur në këtë derexhe si ne, ku analfabetët funksionalë ose jo, kanë patur në dorë ligjet e vendit. Defektet dhe problemet më të rënda të jetës politike shqiptare në 30 vite demokraci, kanë qenë një kosto e madhe për njerëzit e thjeshtë, dhe fatet e vendit. Politika shpesh ka ndikuar në trafikun e deputetëve, deformimin kriminal të vullnetit të zgjedhësve, apo dhe rezultatin e tyre. Eksponenti kryesor i një klime të tillë politike kaq të elektrizuar, që po e mban peng vendit, ka qenë dhe mbetet ish-lideri dhe ish-kryeministri i Partisë Demokratike.

Rreth tij, janë valëzuar prej 3 dekadash, modelet më të shëmtuara politike, që kanë prodhuar pushtete të dhunshme, abuzime dhe kriza, duke ndikuar në pengimin dhe ecurinë normale të proceseve dhe reformave demokratike. Ish-kryeministri demokrat, mbetet ende dhe sot, njeriu që mban të pandryshuar stilin dhe frymën e politikanit problematik. Si shkelës periodik i normave dhe kodeve në politikë, ai ka arritur të dominojë skenën politike, dhe të mbajë të pandryshuar klimën brënda vetë Partisë Demokratike. Ai e ka çuar në limitet e fundit, mundësinë e mbijetesës të asaj forcë politike, në përpjekjet e tij për ta ozurpuar dhe përdorur në betejën antiamerikane që ka nisur prej 5 muajsh. Pa fashitur njëherë e mirë problemet dhe deformimet substanciale të saj, politika në Shqipëri do të mbetet peng e kastës së vjetër, e cila është sot pengesa kryesore e angazhimit dhe daljes së të rinjve në ballë të partive të tyre.