Nga Alba Malltezi/ Sulmi më i fundit i bërë nga një fraksion esktremist politik i mbetur në Shqipëri ndaj Zërit të Amerikës, është një shpalosje perfekte e asaj që përfaqëson sot e prej 30 vjetësh kjo forcë politike e ngurtësuar në kohë dhe në hapsirë. Vetëm fakti se Zëri i Amerikës nuk intepretoi sipas dëshirës së këtij fraksioni historinë e përgjimit gjatë një mbledhjeje mes kryebashkiakut të Tiranës dhe përfaqësuesve të Futbollit Shqiptar, ishte nxitje që Sali Berisha dhe mediat e familjes së tij të përdorin të njëjtën gjuhë e të njëjtin shantazh që kanë përdorur që kur Berisha nisi të shijojë aromën e plotfuqisë së pushtetit klanor e tribal në fillim të viteve ’90.
Një realitet i përsëritur dhe i ripërsëritur qindra herë, një shirit magnetofoni tashmë i vjetër dhe i konsumuar që përdor kakofoninë e paarsyes ndaj çdo mendimi ndryshe, ndaj çdo lajmi e çdo të vërtete që nuk përkon me realitetin e korruptuar e të deformuar të këtij ekstremi të dhunshëm e të palogjikshëm.
Në të vërtetë, si mund të pritet më shumë nga ata që vit pas viti tregojnë se si kundërpërgjigje ndaj atyre që nuk mendojnë njësoj, në vend të fjalës, ngrenë varetë, qysqitë, gurët, shigjetat, e vënë zjarrin nëpër muzeume, biblioteka, kërpurdha artistike, përveç institucioneve shtetërore që janë shtëpi e gjithë shqiptarëve.
Demokracia është e ndërtuar mbi rregulla dhe kush del jashtë tyre, del jashtë një sistemi demokratik. Dhunuesit e historisë, kulturës, medias dhe institucioneve nuk kanë asgjë të përbashkët me demokracinë. Tashmë performancat e dhunës së tyre janë një muze në qiell të hapur, që shpejt do t’i mbetet vetëm historisë apo filmave të së ardhmes.