Bota e futbollit mbajti frymën pezull, në ankth, gjatë Danimarkë-Finlandë, kur Eriksen mbeti në tokë. Duket sikur ka kaluar një përjetësi nga ajo kohë, por nuk duhet harruar se çfarë rrezikoi futbollisti danez. Pasi ju vendos një defribilator në zemër, lojtarit ju desh të zgjidhte kontratën e tij me Interin.
Në Itali ka rregulla shumë të hekurta për këtë tipologji dëmtimi, duke mos lejuar zbriten në fushë me defribilator. Eriksen në këto momente po stërvitet individualisht në Zvicër, në pritje të ndonjë ftese nga ndonjë klub tjetër. Mesfushorit do ti pëlqente si rikthimi në ndonjë skuadër të Premier League e po ashtu dhe rikthimi te Ajaksi.
Martin Schoots, agjenti i Eriksen, dha një intervistë në lidhje me klientin e tij për Daily Mail, ku shprehet, “Eriksen kreu kontrolle të tjera pak para Krishtlindjeve. Rezultatet ishin shumë të mira, dhe shpresojmë që të stërvitet me ndonjë skuadër në ditët në vijim. Inter? Italia është mes vendeve të pakta që kanë rregulla kaq shtrënguese, tani mendojmë për të ardhmen”.
Daily Mail ndërkohë bën të ditur se janë disa skuadra të Premier League që po mendojnë sërish përforcimin me Eriksen. Për të ardhmen e tij nuk duhet përjashtuar as hipoteza e një rikthimi në Danimarkë, pasi ditët e fundit ka qarkulluar lajmi për një interesim për të nga Odense. Gjithsesi e sigurt është se në ditët e ardhshme do të mësohet edhe fati i lojtarit që bashkoi gjithë botën e futbollit.