Ngadalësia e procesit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor po shfaq shumë rreziqe në vendet e rajonit, deklaroi Piero Fassino, kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në parlamentin italian si edhe ish-i dërguari i BE-së për Ballkanin Perëndimor.
“Ky ngadalësim po sjell zhgënjim dhe vetëm zhgënjim në opinionin publik të Ballkanit Perëndimor, ngadalësim të proceseve të reformave për përshtatjen me standardet evropiane dhe rritjen e pranisë së aktorëve të tjerë ndërkombëtarë”, theksoi ai.
“Nevojitet një kapërcim cilësor, përshpejtimi i negociatave tashmë të nisura me Serbinë dhe Malin e Zi duke i hapur ato drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe duke punuar për stabilitetin e Bosnje-Hercegovinës dhe duke promovuar mirëkuptimin mes Serbisë dhe Kosovë”, shtoi Fassino në një takim me të dërguarin special të Britanisë së Madhe në Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.
“Miliona qytetarë të vendeve të Ballkanit e shohin akoma Bashkimin Evropian si garantues të stabilitetit, paqes dhe demokracisë dhe është detyrë e BE-së për të mbështetur këto kërkesa duke konsoliduar proceset demokratike”, theksoi Fassino.
Sipas tij, një angazhim i përbashkët i BE-së, SHBA-së dhe të tjerëve është thelbësor në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.