Nga Mero Baze
Cercë është një fshat i vogël në Komunën e Istogut në Veriperëndim të Kosovës ku u lind Ibrahim Rugova. Një muaj pasi u lind komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babanë e tij Uk Rugova dhe gjyshin Rust Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës. Kjo ndodhi më10 janar 1945.

Ai u rrit nga nëna e tij në një familje pa dy meshkujt më të rëndësishëm të saj, dhe natyrisht me një distancë të fort ndaj komunzimit dhe nacionalzimit serb.

Jeta e tij në një familje të madhe, pa gjyshin dhe babain, me xhaxhallarë që ndiheshin tani zotër të fisit, ishte e lidhur me fuqinë e një gruaje të mbetur pa burrë në moshë të re, e cila ishte nëna e tij. Ajo ka lënë gjurmë të thella në karakterin e tij të ndjeshëm, dhe në brumosjen e tij të përjetshme kundër dhunës, si e vetmja mënyrë për të përballuar një autoritet përballë të cilit ndihesh I pafuqishëm.

Për shumë vet që nuk shpjegojnë dot fanatizmin e Ibrahim Rugovës kundër dhunës dhe vendosmërinë për paqe, ka një shpjegim që e lidh atë me nënën e tij, e cila ka qenë për të gjithçka për të mbijetuar.

“Një herë në SHBA në një dark me Bob Doll, Rugova u çlirua në bisedë dhe i tha Senatorit. Këtu në SHBA ndjehem rehat, si tek “dajat”.[1]

Ishte pak e vështirë tia përktheje Senatorit legjendar pro Kosovës çfarë rëndësie kishin “dajat” e atij burri të imët e paqësor që i krahasonte me SHBA e fuqishme. Në fakt ishin e njëjta gjë. Ata i kishte parë si garanci në periudhën që rritej si fëmijë pa baba, pasi ishin vëllzerit e nënës, ndërsa SHBA e shihte tashmë si garanci për një vend jetim në Ballkan, që ishin përballë dhunës së Serbisë.

Ibrahim Rugova arriti të shkollohet në gjimnazin e Pejës më 1967 dhe më pas të diplomohet në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971.

Por formimi i tij thelbësor si akademik dhe kritik arti u bë gjatë vitit akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des “Hautes Etudes”, nën mbikëqyrjen e prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare.

Ai mori doktoratën në letërsi në Universitetin e Prishtinës më 1984.

Fillimet e tij publike janë në shtypin e kohës si redaktor në gazetën “Bota e re” të studentëve, në revistën shkencore “Dituria’ dhe më pas në Institutin Albanologjik të Prishtinës si kërkues i letërsisë ku drejtoi dhe revistën “Gjurmime albanologjike”.

Një nga shkrimet e tij të para i përket vitit të parë të studimeve si student. Më 28 Nëntor 1968, në kulmin e lëvizjes politike për më shumë të drejta kombëtare në Kosovë, Ibrahim RUgova ka botuar esen “Pavarësia kombëtare 28 Nëntor 1912- 1968. Eseja është një deklarim i hapur i identitetit shqiptar të Kosovës dhe lidhja e saj me pavarësinë e Shqipërisë.[2]

Kontaktet e tij me Shqipërinë gjatë komunizmit përmblidhen në disa vizita të tij si shkrimtar në vitin 1971, 1974 dhe në vitin 1980. Më pas raportet me Kosovën u ndërprenë për shkak të demonstratave të vitit 1981, ku Shqipëria u akuzua si nxitëse e tyre.

Pavarësisht kësaj Rugova bëri emër si një intelektual që mbrojti vlerat e kulturës shqiptare duke hyrë në polemika dhe me pushtetin politik në Kosovë luajal me Serbinë dhe intelektualë serb. Rugova kundërshtoi heqjen e Ismail Kadaresë nga tekstet e shkollave për letërsinë shqipe nën arsyetimin se është shkrimtar nacionalist, duke kritikuar autoritet politike të Krahinës

“Lexova në shtyp për vendimin e Pleqësisë Krahinore të Arsimit për heqjen e disa njësive dhe veprave nga letërsia shqipe në programet shkollore. Vendimi dhe informata nuk dilnin në formë të argumentuar dhe si të tilla mendoj se ngjallin shqetësim në opinion. Është e natyrshme që programi shkollor të pasqyrohet me vlera të reja dhe të përparohet, por jo të cungohet duke u nisur nga teza aprioriste dhe politiciste, siç është rasti i heqjes së një vepre të mirë të Mark Krasniqit dhe i gjithë krijimtarisë së Ismail Kadaresë. Po të vepronim kështu, atëherë do hequr edhe shkrimtarë të tjerë, si bie fjala Andriqin, i cili me 1939 ka bërë një elaborat për zhdukjen e shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë, po ne e mësojmë sepse me veprën e tij e ka tejkaluar personalitetin e tij qytetar dhe politik. Për vepra të shkrimtarëve të tillë ne kemi nevojë”. [3]

Më 1988 ai u zgjodh Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës , prej nga nisi të shfaqet si një autoritet publik në polemikat me intelektual të Serbisë dhe angazhimin për të drejtat e shqiptarëve.

Në mars të vitit 1989, ndërsa Serbia po rrënonte gërmadhat e fundit që kishin ngelur nga autonomia e Kosovës, Ibrahim Rugova shkëlqeu jo vetëm për guximin e tij intelektual, por dhe për qartësinë se nga duhet të shkonte fati i Kosovës.

Ai është intelektuali i parë shqiptar i Kosovës, që ka artikuluar tezën e shpëtimit të Kosovës nga Serbia, duke u bërë një vend demokratik, përmes një aleance të qëndrueshme me Perëndimin dhe duke rezistuar në rrugë paqësore, për ti mbijetuar zhdukjes së popullsisë dhe copëtimit të Kosovës.

Kjo ishte filozofia politike mbi të cilën u themelua LDK-ja, e cila u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë edhe parti e grupe të tjera.

Në intervistat e tij në Mars 1989, për agjencinë REUTER dhe revistën gjermane :”Der Spiegel”, Rugova ka bërë të qartë se Kosova ka të ardhme vetëm si shoqëri demokratike, duke detyruar Serbinë të respektojë të drejtat themelore të shqiptarëve dhe parimet e vetëqeverisjes.

Kjo gjë nuk kaloi aq lehtë. Në Qershor të vitit 1989, kur dalldia serbe për të ringjallur mitin e Betejës së Fushë Kosovës në 600 vjetorin e saj po kthehej në një fushatë linçuese ndaj identitetit shqiptar të Kosovës, Ibrahim Rugova u vu përsëri në qendër të sulmeve. Dhe përsëri shkak ishte intervista e tij e re në revistën “Der Spiegel” ku theksonte se “Serbët po vijnë sërish si hakmarrës”. Në intervistën e tij Rugova hedh poshtë mitin serb të betejës së Fushë Kosovës dhe thotë se ajo është një betejë e popujve të Ballkanit, serbëve, shqiptarëve hungarezëve etj, pasi të gjithë ishin popuj të krishterë. Ai i konsideron festimet një dalldisje nacionaliste dhe shoviniste serbe dhe kërkon që shqiptarët të pranohen si qytetarë të barabartë ose do të gjenin një shteg për të dal nga kjo gjendje.

“Nëse Serbia përpiqet edhe më tutje ta shtypë identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë kryengritje.

Unë vetëm mund t’i paralajmëroj serbët: edhe ata janë popull i vogël. Në të kaluarën kur një popull i vogël është

përpjekur të sillet si hegjemon në Ballkan, kjo përherë ka përfunduar me tragjedinë e këtij populli.”[4]

Ndaj intervistës pati një reagim të ashpër politik. Kryesia e Komitetit Krahinor të Lidhjes Socialiste shqyrtoi intervistën e Ibrahim Rugovës në një mbledhje speciale, dhe ndaj saj u mbajt qëndrim zyrtar duke kërkuar përjashtimin e tij nga Lidhja e Sindikatave.

“Në momentin kur forcat progresive të shoqërisë, të udhëhequra nga LK, e me këtë edhe Lidhja e Sindikatave të Kosovës po bëjnë përpjekje për realizimin konsekuent të Konkluzioneve të KK të LK të Kosovës, KQ të LK të Serbisë dhe KQ të LK të Jugosllavisë për stabilizimin më të shpejtë të gjendjes politike dhe të sigurisë në Kosovë, Ibrahim Rugova me paraqitjet e veta në mënyrën më të vrazhdë tentoi që përmes mjeteve të huaja të informimit ta dezauvojë dhe dezinformojë opinionin ndërkombëtar, duke përhapur në këtë mënyrë të pavërteta duke sulmuar në mënyrë të vrazhdë politikën e LKJ-së dhe vëllazërim-bashkimin. Zatën rruga e tillë e Rugovës është vazhdimësi e përhapjes së urrejtjes dhe ndarjes në mesin e kombeve dhe kombësive tona, nga pozitat e nacionalizmit e separatizmit shqiptar.”[5]

Reagimi I ashpër u bë dhe në emër të Kryesisë së Lidhjes Socialiste të Kosovës. “Kryesia hodhi poshtë në mënyrë të vendosur dhe të ashpër sulmet e tilla në sistemin tonë, në politikën tonë dhe të gjitha të pavërtetat dhe rrenat e Ibrahim Rugovës. Për këtë shkak Kryesia e LS të Kosovës kërkon nga këshilli Komunal i IS të Prishtinës që Ibrahim Rugova të përjashtohet nga anëtarësia e Sindikatës dhe nga SHSHK, ndërkaq nga organet kompetente kërkon që të ndërmarrin të gjitha masat që këtij dhe të ngjashmëve t’u pamundësohet veprimi i mëtejshëm nga pozitat armiqësore”[6]

Por Ibrahim Rugova ishte tanimë i qarte se si Kosova duhet të bënte diferencën me Serbinë. Ishte demokracia.

Ai e ktheu demokracinë në doktrinë të shpëtimit të Kosovës dhe Perëndimin në aleat të saj. Besimi i tij tek rruga paqësore ishte gati si një fe që i jepte atij qetësinë e duhur. Ishte si ta fitoje betejën me asgjë, duke pritur të gabonte kundërshtari.

Miliona ballkanas dhe evropianë, po ashtu do ta kishin të pamundur të besonin se një individ i vetëm me vizionin e tij origjinal do të prodhonte një histori të re për vendin e vet, duke mundur prodhimet shekullore të miteve dhe historisë së Ballkanit. Ishte diçka e pamundur në pamje të parë dhe kishte diçka çërçilliane tek besimi e tij se shqiptarët mund t’ia dilnin edhe pse nuk kishin asnjë mjet veç shmangies së luftës.

Për 16 vite jetë politike, ai ndërroi tërësisht raportet e Kosovës me fqinjët dhe perëndimin, çmontoi një sistem të tërë që prodhonte histori, politikë dhe vizion negativ për shqiptarët.

Kur ballkanasit e ish Jugosllavisë, rrëmbyen armët dhe nisën luftërat për pavarësi në fillim të viteve 90-të, Ibrahim Rugova arriti të izolojë Kosovën nga konflikti i përgjakshëm me një kurajë dhe vizion, i cili funksionoi.

Ky vizion i dha Kosovës aleatë perëndimorë para fillimit të luftës, u dha shqiptarëve emër të mirë para përplasjes finale, i dha shoqërisë së Kosovës shanse për solidaritet para fillimit të masakrës, dhe mbi të gjitha i dha një orientim të ri çështjes shqiptare në Ballkan, duke e reformuar atë nga një çështje e pambyllur e “Bashkimit Kombëtar”, në një çështje të formimit të shtetit të Kosovës si shtet i pavarur.

Ky vizion po ashtu shpërbeu në pak kohë mitet serbe për Kosovën, dhe çliroi energji të reja edhe në Serbi, për të kuptuar se Kosova nuk është beteja e tyre për jetë a vdekje. Ai ndryshoi edhe historinë e tyre.

Nuk jam i sigurte nëse shqiptarët e Kosovës e pranuan, si vizion, apo si opsion, projektin e Rugovës, por u pa qartë se në fund ata e pranuan atë si fat.

Ai nuk jetoi gjatë, por pati aq kohë së të vdiste i pajtuar me të gjithë ata që i janë zemëruar gjatë jetës për rrugën e tij. Dhe iku pak kohë para se sa shqiptarët ta prekin me dorë produktin e jetës së tij politike, pavarësinë e Kosovës.

Nuk jam i sigurt se shqiptarët zgjodhën Rugovën në fillim të viteve 90-të për t’i përfaqësuar, por jam i sigurt se Rugova zgjodhi rrugën e duhur për t’i shpëtuar shqiptarët dhe për t’i bindur ata për rrugën që duhet të ndiqnin. Ndaj ata e pranuan atë si një simbol.

Në mes të viteve 90-të, Ibrahim Rugova ishte i vetmi njeri i qartë për paqen që po prodhonte. Brenda LDK-së, brenda Kosovës, por dhe në Shqipëri, duket se kishte një lloj paqartësie për fuqinë e rrugës së tij. Kishte presion për më shumë veprim, dhe ndoshta për organizime klandestine ushtarake.

Misteri dhe simpatia që ato ngjallën në kancelaritë perëndimore ishin të pashpjegueshme. Kancelaritë panë tek kjo filozofi e thjeshtë mundësitë e një shoqërie për t’u vetorganizuar dhe sinqeritetin e një lideri pacifist.

Këtë vizion nuk mund ta kishte kurrë një njeri normal, një shqiptar “me gjak” si gjithë të tjerët. Për këtë arsye them se Rugova ua imponoi si fat shqiptarëve këtë rrugë, rrugën me kosto më të lirë për të prodhuar një histori të re të tyre.

Kam frikë se askush tjetër nuk do të kishte zgjedhur atë rrugë që prodhoi fuqinë reale të shqiptareve përmes paqes. Për të përmbysur historinë që serbët kanë prodhuar për shqiptarët në Perëndim duhen qindra katedra historie.

Opsioni i Rugovës i bëri të pavlefshme ato. Ai nuk prodhoi, por provoi se shqiptarët dinë të bëjnë një histori tjetër nga ajo që është thënë për ta.

Për të përmbysur fuqinë diplomatike të ish Jugosllavisë në botë duheshin me dhjetëra kancelari aleate. Ibrahim Rugova fitoi mbështetjen jo vetëm të miqve të kombit shqiptar, por përmbysi vizionin e miqve historikë të Serbisë për shqiptarët dhe Kosovën.

Për të mundur ushtrinë jugosllave, shqiptarët nuk do të mundin dot sikur të mobilizoheshin të gjithë si komb, por vizoni i Rugovës dhe aleancat e tij bënë që në dispozicion të kauzës së tij të vihej ushtria më e madhe e botës, NATO e cila ishte pjesë e një prej tri fjalive të Ibrahim Rugovës për 10 vitet e para të tij.

Ibrahim Rugova është i pari që ka formuluar në mënyrë të sinqerte tezën për pavarësi të Kosovës. Prej Kongresit të Berlinit shekullin e 19-të e deri në mes të viteve 70-të, ëndrra e shqiptarëve ka qenë bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Opsioni i pavarësisë së Kosovës shihej realisht si hipokrizi.

Ibrahim Rugova është udhëheqësi i parë shqiptar që e ka këtë tezë të sinqertë. Ai e kishte të modeluar në vizionin e tij pavarësinë e Kosovës dhe punoi gjatë ta vizatonte atë për shqiptarët. Ka shumë histori vulgare me simbolet e tij me gurët që dhuronte dhe flamujt që qëndiste, me himnet që prodhonte dhe traditat kosovare që donte të ringjallte, por kjo vinte pik së pari se në atelienë e tij politike, modelohej sinqerisht një Kosovë e pavarur.

Për shumë të tjerë në Shqipëri dhe Kosovë ky është një opsion politik, por jo i sinqertë. Për Ibrahim Rugovën ky ishte një opsion i sinqertë. Ai e respektonte Shqipërinë por kurrë nuk bëri asnjë gjest që të provonte se ishte nën ndikimin e saj. Ai ishte një indipendentist natyral që reformoi platformën e shqiptareve për Bashkim Kombëtar. Ai prodhoi një histori të re për çështjen shqiptare. Ai prodhoi Kosovën e pavarur dhe rikonfigurimin e interesave shqiptare në Ballkan.

Rugova po ashtu prodhoi dhe një histori të re të lidhjeve shpirtërore të Kosovës me Perëndimin, Përkushtimi i tij ndaj vlerave kristiane të Evropës, toleranca e tij proverbiale ndaj kundërshtarëve dhe sinqeriteti i tij i pozimit para ikonës së Nënë Terezës dhe Papës, e ktheu çështjen e aleancës së Kosovës me Perëndimin, në një betejë të re të tij. Në asnjë shoqëri imponime të tilla si ajo që Rugova i bënte shoqërisë së Kosovës nuk dot ë kalonin pa probleme. Në asnjë shoqëri me shumicë myslimane, predikimet për konvertim në katolicizëm dhe shkuarja drejt rrënjëve kristiane të Evropës nuk do të kishte kaluar pa probleme për një lider. Për Ibrahim Rugovën këto kaluan jo vetëm pa probleme, por me një misticizëm, i cili ka çarmatosur çdo zë kundër tij. Ky dimension e bëri atë po ashtu një lider të pranueshëm edhe për qytetarët jo shqiptarë të Kosovës. Ai është lideri që e pranoi Kosova, që ai, vizatoi në mendjen e tij.

Për vite të tëra sa herë kam pas rastin ta takoj atë dhe t’i vizitoj si gazetarë miqtë dhe armiqtë e tij, më ka injoruar përshkrimin që i kanë bërë.

Nuk kam dëgjuar asnjëherë të pranojë dhe të shprehet për kundërshtarët për kritikët dhe ata që e sulmonin.

Vdekja e tij në Janar të vitit 2006, e pengoi ta prekte me dorë pavarësinë formale të Kosovës, por funerali i tij madhështor, ku morën pjesë gjithë ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, SHBA dhe vendeve të tjera të rëndësishme të botës, ishte në fakt dita kur bota pranoi misionin e Ibrahim Rugovës dhe ja la njohjen e pavarësisë së Kosovës si një shall mbi shtëpinë e tij të përjetshme në Kosovë.

(Pjesë nga libri “Republika e parë”, nje histori politike e Kosoves 1989-1999, i cili del se shpejti ne qarkullim.)

[1] Bujar Bukoshi. Intervistë me autorin

[2] Aneksi. Faksimile e gazetës Bota e re 28 Nëntor 1968.

[3] Rilindja me 22 janar 1987

[4] (Botuar në “Der Spiegel”, më 26 qershor 1989)

[5] Rilindja 26 Qershor 1989

[6] Rilindja 26 Qershor 1989