Ilir Meta gjatë një konference për mediat ka komentuar protestën e 8 Janarit në selinë e Partisë Demokratike.

Ai u shpreh se 8 Janari nuk është ngjarje e izoluar dhe se është i shqetësuar për situatën në Partinë Demokratike.

“8 Janari nuk është një ngjarje e izoluar, por është një moment tragjik i një procesi politik, degradues që po zhvillohet prej muajsh dhe vitesh thelbi i të cilit është mungesa e ballafaqimit me votë në mënyrë transparente. Prej muajsh e vitesh të kërcënimit të një institucioni tepër jetim atë të opozitës dhe botës së lirë. Nuk dua dhe nuk kam synuar të bëhem palë në konfliktin që ka lindur në PD, por jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e konfliktit të panevojshëm që mund dhe duhet të ketë vetëm një zgjidhje, votën e lirë dhe respektimin e shumicës dhe lejimin e fraksioneve. Dhuna është e papranueshme dhe e dënueshme akuzat për infiltrimin e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore janë alarmante dhe kërkojnë përgjigje të paanshme. Është e papranueshme të pranohet çdo mekanizëm demokratik zgjidhjeje duke nxitur kështu revoltën. Zhvillimet e 8 Janarit sollën edhe ndonjë shembull pozitiv që bën thirrje për reflektim si dorëheqja e rojës së selisë së PD për të mos qenë dëshmitar i dhunës. Uroj që të gjithë të ngrihen në nivelin e përgjegjshmërisë së tij”, tha Meta.

Meta theksoi se është e qartë që thelbi i krizës është mungesa e vullnetit për të respektuar votën e lirë.

“Kjo vjen nga mungesa e vullnetit për të respektuar votën e lirë dhe ballafaqimit. Kemi parë nga një anë një palë që vetëm shkarkon, pala tjetër nuk përjashton, fton në konkurrim. Kemi parë përpjekje për negociata nga Paloka, pala tjetër thotë jo pse ia dorëzoni atij, punonjësit të protokollit, që unë nuk i di emrin. Pra është e qartë që thelbi i krizës është mungesa e vullnetit për të respektuar votën e lirë, Në rastin e PD, kjo çështja e Kongresit është gjëja më e thjeshtë, i kanë automatikisht delegatët”, tha Meta.