Deputeti Agron Gjekmarkaj ka folur mbi detyrën më të re që i është besuar nga Partia Demokratike, atë të nënkryetarit të Kuvendit. I ftuar në “Frontline”, Gjekmarkaj u shpreh se 2 ditë para se ky propozim të votohej në Këshillin Kombëtar është ftuar nga kryedemokrati Basha dhe është vënë në dijeni.

Gjekmarkaj u shpreh besimplotë se PD do të ringrihet dhe do t’i prijë demokratët drejt fitores.

“Basha ka një stil tjetër, nuk e vë përballë faktit të kryer por edhe unë nuk e pranoj faktin e kryer. Nuk e çoj kurrë veten në këtë situatë. Nëse ka diçka që duhet ta pranoj e pranoj dhe e refuzoj po nga bindja ime. Basha më ftoi 2 ditë para Këshillit Kombëtar dhe më pas u votua. Nuk ka ndjerë asnjë xhelozi. Kam marrë urime, por secili prej kolegëve e di që ky është një moment i vështirë. Komunikimet me të përjashtuarit i ka patur para se të ndodhte 9 janari. PD do të ringrihet së shpejti do të jetë luftarake dhe kam besim se PD do të udhëheqë demokratët drejt fitore. Sot dikush mund të qeshë por kjo është dialektika e kohës. Ndërsa në Parlament zhvillohet beteja politike”- u shpreh ai.