Te lulishtja mbrapa Kryeministrisë, Ju pret “Micro-Folie” e parë në Shqipëri, ku fëmijë e të rritur, mund te luajnë së bashku, me lojëra inteligjente, që nxisin kreativitetin dhe aftësinë për të prodhuar, nëpërmjet artit dhe teknologjisë!
Nga e marta, në të premte, “Micro-Folie” në Tiranë, vjen e hapur vetëm për rezervime nga grupe shkollash me mësuesit e tyre, kurse në fundjavë, mirëpresim të gjithë familjen!

“Micro-Folie” është një projekt francez i Park de la Villette dhe ndodhet në 200 vende të ndryshme të botës. Falë bashkëpunimit të qeverisë shqiptare dhe Bashkisë Tiranë, ajo vjen tashmë edhe tek ne, në kuadër të Kryeqytetit Europian të Rinisë.
Po ju tregojmë shkurtimisht se me çfarë do të përballeni:Muze Digjital dhe Realitet Virtual, ku përfshihen vepra të Muzeut të Louvre-it, Muze Picasso, Filarmonia e Parisit, etj. Edhe nëse nuk ke shkuar dot t’i vizitosh nëpër muzetë botërore, tashmë ato vijnë në Tiranë në formë interaktive, ku kujtesa e asaj çfarë shihni “testohet” nga lojërat në tablet.

Laboratori i Prodhimit, me printer 3D, makinë qepëse, makinë për gdhendje, stampim, etj, është ideuar për të nxitur krijimin dhe riparimin e produkteve të jetës së përditshme. Biblioteka dhe Këndi i Lojërave, mundëson leximin e librave të ndryshëm shqip dhe frengjisht, lojërave inteligjente të tavolinës, ngjyrosjen në një mur të madh apo njohjen me vepra të tjera botërore, nëpërmjet lojërave interaktive.
Për ata/ato që kanë talent, ofrohet një Skenë, ku në fundjavë “Micro-Folie” ofron shfaqje të ndryshme.

Dhe të gjitha këto, pa pagesë!

Për të evituar grumbullimet e shumta, përtej kapacitetit tëMikro-Çmendurisë, por edhe për të respektuar masat anti covid-19, duhet të rezervoni vizitën Tuaj në rrjetet sociale: Micro Folie Tirana ose në website www.microfolietirana.com