Partia Socialiste e Shqipërisë vendosi kandidatët në pesë nga gjashtë bashkitë e vendit ku do të garohet për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.
Në Shkodër, socialistët i besuan prefektes Majlinda Angoni, si njeriu që mund të thyejë bastionin e PD-së.
Por çfarë mendon kandidatja socialiste, a është ky momenti më i mirë për PS-në për të “rrëmbyer” “kështjellën” e Shkodrës, pasi demokratët janë më të përçarë se kurrë?
Në një prononcim për Abcnews.al, Angoni shprehet se nuk ka humbur asnjë betejë në jetë dhe beson se ka ardhur momenti që pas 30 vitesh, Shkodra të drejtohet nga një i zgjedhur socialist.
“Propozimi ishte nga organet e partisë në Shkodër dhe u miratua nga kryeministri. E vështirë në Shkodër, por jo e pamundur. Unë nuk hyj kurrë me humbur. Nuk e njoh humbjen si natyre njerëzore. Se kë kam përballë, pak rëndësi ka” tha ajo.
Por a e ka “frikë” nëse Voltana Ademi rikandidon? “Jo, jo, do ta shikoj si konkurrente, që pretendon për ta marrë, me pikat e forta dhe të dobëta të saj”.
Momenti i keq i opozitës mund t’ju dhurojë fitoren socialistëve. “Fitorja asnjë nuk dhurohet. Shkodra është bastion i së djathtës, edhe lufta e së djathtës do të jetë shumë e fuqishme, do të kërkojnë për ta mbajtur” tha ajo.
E pranon faktin që përçarja e opozitës që mund të dalë me tre kandidatë e favorizon, por thekson se beson më shumë të puna e strukturave dhe besimi i qytetarëve. “Mbase do të jetë më pozitiv për ne. Por ne do të fitojmë, do të hyjmë solidarë për ta marrë për herë të parë pas 30 viteve” tha ajo.
Në Dibër, PS vendosi kandidat një bankier, Rrahim Spahiu. Ai u shpreh për Abcnews.al se “E prita shumë mirë propozimin. E meriton populli dibran t’i shërbej”.