Ligjvënësit e Kazakistanit kanë emëruar një kryeministër të ri, ndërsa sundimtarët e vendit përpiqen të rivendosin rendin pas disa ditëve trazira. ”Parlamenti i vendit të Azisë Qendrore votoi Alikhan Smailov në postin e kryeministrit”, njoftoi televizioni shtetëror.

”Smailov kishte marrë detyrën përkohësisht, pas shkarkimit të qeverisë së vjetër një javë më parë”, sipas raportit. Presidenti Kassym-Jomart Tokayev kishte sugjeruar më parë Smailov për këtë detyrë.

“Rendi është rivendosur në Kazakistan. Kërcënimet për sigurinë e vendit janë shmangur”, tha Tokayev në një takim të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), të cilën ai e kishte thirrur për të shuar trazirat. Kazakistani, i cili kufizohet me Rusinë dhe Kinën, u përfshi nga trazirat për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve, në vendin e pasur me naftë dhe gaz.