“Ka njerëz që thonë se ata që kanë fituar statusin e pensionistit, por që vazhdojnë ende të punojnë, nuk duhet të paguajnë kontributet shoqërore. Të tjerë mendojnë që nuk duhet bërë një diferencim i tillë. Si mendoni ju?” Kjo është një nga pyetjet e nismës më të re të qeverisë shqiptare, “Këshillimi Kombëtar” i cili u adreson qytetarëve pyetje mbi çështje që përfshijnë fushën e ekonomisë, drejtësisë, mbrojtjes sociale apo marrëdhënie ndërkombëtare.
Në pyetësor diskutohet nëse duhet të përjashtohen nga pagesa e kontributeve pensionistët, që vijojnë të punojnë edhe pse kanë arritur moshën e pensionit, duke marrë parasysh se gjatë gjithë viteve të punës, qytetarët që kanë arritur moshën e pensionit e kanë dhënë kontributin e tyre financiar, duke shlyer detyrimin e tyre ndaj Sigurimeve Shoqërore.
Aktualisht ka disa shtete në Europë që aplikojnë taksa të zbutura kundrejt pensionistëve, që nga Franca, Spanja e Portugalia, te Malta dhe Qipro. Irlanda e Veriut e ka aplikuar heqjen e kontributeve sociale për qytetarët që vijojnë të qendrojnë në tregun e punës, pavarësisht se kanë arritur moshën e pensionit, ndërsa në Britaninë e Madhe tema e pensionistëve të punësuar vijon të jetë pjesë e debatit publik, ku shumë ekspertë propozojnë se nuk duhet të vijojnë të pagujnë më kontribute sociale, pasi ta kenë shlyer detyrimin ligjor sipas viteve të punës që mundësojnë daljen në pension.
Në Shqipëri, të moshuarit kanë qënë në qendër të vëmendjes vitet e fundit, ku shumica e nismave sociale dhe ekonomike i krijon favore më të mëdha atyre dhe shtresave të tjera vulnerabël të vendit. Kryeministri Rama në prezantimin që i bëri nismës së “Këshillimit Kombëtar” shpjegoi se edhe pyetësori që u dërgohet në shtëpi cdo kryefamiljari shqiptar, nga pensionistët dhe të moshuarit mund të ridërgohet përmes postës pa asnjë pagesë. Pyetjet e shtruara në faqen www.keshillimikombetar.al synojnë të marrin mendimin e qytetarëve për të dëgjuar opinionin dhe zërin e tyre, në mënyrë qeveria ta ketë të qartë cila nga cështjet është më prioritare për adresim.