Analisti Kreshnik Spahiu në një lidhje live në emisionin Top Talk në Top Channel komentoi vizitën zyrtare të Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan pikërisht në ditën e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ai e cilësoi kryeministrin Rama një lider globalist, ndërsa presidentin Ilir Meta një hakmarrës, nisur nga mosfutja e këtij të fundit në agjendën e homologut të tij turk.

“Kemi Ramën si kryeministër globalist dhe presidentin Meta si hakmarrës i cili me një gjest në vajtjen e varrit të Skënderbeut, u hakmor ndaj Erdoganit, i cili nuk preferoi në takim bilateral ta fuste në agjendë. Jo në një mënyrë të rastësishme, ai nuk është presidenti i i parë që shmang Metën nga takimi. Duhet ta ndajmë patriotizmin e presidentit tonë me arsyet dhe motivet jo legjitime të cilat nuk janë aspak demokratike dhe acarojnë marrëdhëniet Shqipëri-Turqi”, tha Spahiu.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ndodhet këtë të hënë për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e para e tij për 2022-shin. Ai mori pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së 522 banesave çelësave në Kurbin, të rindërtuara nga financimi i qeverisë turke, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që tronditi vendin. Gjatë këtij takimi gjithashtu u nënshkruan edhe shtatë marrëveshje mes qeverisë turke dhe asaj shqiptare.