Romelu Lukaku vendosi të largohej nga Interi në merkaton e verës së kaluar. Bomberi belg zgjodhi të rikthehet te Chelsea, teksa zikaltrit italianë përfituan 115 milionë euro nga shitja e tij.
Aventura e dytë në “Stamford Bridge” nuk po shkon ashtu siç e kishte menduar, Lukaku është penduar dhe në prononcimin e fundit u kërkoi falje tifozëve të Interit, duke shprehur hapur dëshirën për t’u rikthyer në “San Siro”.
28-vjeçari numëron 7 gola dhe 2 asiste mes kampionatit dhe Champions League këtë sezon, Tuchel nuk e sheh si një titullar fiks në majë të sulmit. Lukaku ka vazhduar të flasë rreth largimit nga Interi, me Corriere della Sera që zbulon një tjera fjalë nga prononcimi i belgut për Sky Sport.
“Pasi fituam titullin, unë shkova te drejtuesit e klubit dhe u kërkova atyre të më ofronin rinovimin e kontratës. Ndihesha mirë në Milano, por drejtuesit e Interit refuzuan propozimin tim.
Largimi im nuk lidhet me Conten, ndodhi vetëm prej mungesës së rinovimit. E dija që kishim ende mundësi për të fituar me ardhjen e Inzaghit. E përsëris: largimi im nuk ka lidhje me ikjen e Contes.
Nëse do të firmosja kontratën e re, unë do të isha akoma pjesë e Interit”, deklaroi Romelu Lukaku, protagonist absolut sezonin e kaluar në fitimin e titullit kampion nga Interi pas 11 vitesh. Ky i fundit zbulon edhe një prapaskenë interesante.
“Pas sezonit të parë me Interin refuzova një ofertë nga Manchester City, që ishte më e lartë krahasuar me atë që përfitoj aktualisht te Chelsea. Nuk ishte momenti të largohesha, nuk doja. Interi më shpëtoi karrierën dhe unë doja të bëja diçka të bukur.
Në futboll tre janë skuadrat e nivelit absolut: Real Madrid, Barcelona dhe Bayern Munchen. Dua të tregohem i sinqertë: doja të shkruaja historinë time me Interin për t’u transferuar më pas te një nga këto klube nëse do më krijohej mundësia“.