Presidenti francez, Emmanuel Macron ka nxitur një bujë pasi tha se strategjia e vaksinimit të qeverisë së tij do të vështirësojë gjithnjë e më shumë jetën e personave të pavaksinuar, sipas The Guardian.
“Unë nuk jam këtu për të zemëruar popullin francez. Për sa i përket të pavaksinuarve, dua shumë t’jua vështirësojë jetën. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, deri në fund. Kjo është strategjia”, tha presidenti në një intervistë për ‘Le Parisien’.
Reagimi i Macron erdhi pasi parlamenti francez diskutoi legjislacionin e ri që, nëse miratohet, vetëm të vaksinuarit plotësisht dhe jo më ata që kanë kryer një test negativ Covid do të kualifikohen për tu pajisur me çertifikatën shëndetësore duke nisur që nga muaji i ardhshëm.
Çertifikata e vaksinimit kërkohet në Francë për të mundësuar aksesin në vende publike të brendshme si kafene, restorante, kinema, muze, koncerte dhe qendra sportive, si dhe për të hipur në trena dhe aeroplanë në distanca të gjata.
“Në një demokraci, armiqtë më të këqij janë gënjeshtra dhe marrëzia. Ne po ushtrojmë presion mbi të pavaksinuarit duke kufizuar, sa më shumë që të jetë e mundur, aksesin e tyre në aktivitete në jetën shoqërore”, tha Macron.
Franca ka vaksinuar pothuajse 90% të popullsisë së saj, dhe vetëm një pakicë shumë e vogël është duke bërë rezistencë. Si ta pakësojmë këtë pakicë? Ne e zvogëlojmë atë , duke ia vështirësuar gjithnjë e më shumë jetën,” tha Macron.
Presidenti, i cili do të kandidojë për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale në prill, tha se nuk do ta bënte publike vendimin e tij derisa situata shëndetësore t’ia lejonte, duke shtuar se ai nuk do t’i vaksinonte me forcë të pavaksinuarit.