Fëmijët me aftësi ndryshe, shumë shpejt do të marrin shërbime të specializuara në Qendrën e Re Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në Kombinat, që po rindërtohet më e bukur dhe më e fortë pas dëmtimeve nga tërmeti.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot pamje nga ky kantier ndërtimi, ndërsa shprehu bindjen se në qendrën e re do të garantohet një standard i ri shërbimi.

“Me profesionalizmin dhe punën e palodhur të dr. Florida Dobit dhe stafit të dedikuar, do të garantojmë një standard të ri shërbimi në këtë qendër unike të këtij lloji në vend, për fëmijët me aftësi ndryshe”, tha ajo.

Qendra e Re Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në Kombinat është një hapësirë e dedikuar për shërbimet me shtretër, por edhe shërbimet ambulatore për fëmijët 0-18 vjeç me aftësi ndryshe, në nivel kombëtar. Terapitë e ofruara në këtë qendër janë: terapi zhvillimi, fizioterapi, logopedi, ergoterapi dhe kopsht edukativo-terapeutik.