Eduard Prodani, i cili ishte kandidat për kreun e Shoqatës së Futbollit të Tiranës, dhe i braktisi këto zgjedhje pasi ishin manipuluar listat, i ka çuar një letër informuese Gianni Infantino-s, President i FIFA-s dhe zonjës Fatma Samoura, Sekretare e Përgjithshme e FIFA-s.

Prodani informon drejtuesit e organit më të lartë drejtues të futbollit botëror me gjithçka ka bërë Federata Shqiptare e Futbollit për të manipuluar të gjithë procesin sipas tij.

Letra e plotë: I dashur zoti President E dashur zonja Sekretare e Përgjithshme! Kjo letër synon të përcjellë disa shqetësime në lidhje me procesin zgjedhor të zhvilluar së fundmi në Federatën Rajonale të Futbollit të Tiranës (SHRFT), anëtare e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).

Po ju drejtohem në cilësinë e kandidatit të regjistruar për postin e Presidentit të SHRFT. Ju lutem vini re se çështjet që parashtroj këtu janë shumë më të rëndësishme se sa rezultatet e kandidimit tim.

Kur bëhet fjalë për proceset e brendshme zgjedhore, SHRFT dhe FSHF nuk kanë organe të pavarura për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Dhoma e Arbitrazhit Sportiv në Shqipëri është përkohësisht jofunksionale ndërsa dëgimi i çështjes në CAS të Lozanës është krejt jo praktik. Në këto rrethana, kjo letër është i vetmi mjet që mbetet për të tërhequr vëmëndje mbi disa sjellje dhe praktika të cilat do t’i cilësoja si të dëmshme për futbollin në Shqipëri dhe më gjerë.

Situata

SHRFT dhe shtatë shoqata të tjera rajonale u bënë anëtare të FSHF me ndryshimet statutore të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme (AP) e vitit 2011. Çuditërisht, SHRFT u regjistrua si person juridik vetëm në vitin 2018. Megjithatë, kjo nuk pengoi aspak FSHF në vendosmërinë e saj për të ftuar delegatin votues të SHRFT në të gjitha mbledhjet e AP që u zhvilluan ndërmjet viteve 2012-2020. Me ndryshimet e Statutit të FSHF-së miratuar në 2020, numri i delegatëve votues që SHRFT dërgon ne AP të FSHF u rrit në tetë sepse numri i përgjithshëm i delegatëve që shoqatat rajonale dërgojnë u rrit në njëzet e gjashtë.

Më duhet të sqaroj se pavarësisht nga sa parashtrohet në statutin e saj, SHRFT nuk është angazhuar asnjëherë në organizim veprimtarish futbolli. Atje ka një President dhe një Sekretar të Përgjithshëm (SP) por nuk ka as personel, as komisione pune, as struktura të çfarëdo lloji. SHRFT nuk ka miratuar asnjeherë një rregullore të AP (homologe e Rregullores së Kongresit në FIFA dhe/ose Rregullore e Proçedurave në UEFA) dhe asnjë komision verifikimi të AP (që është organ thelbësor që çertifikon integritetin e AP dhe që kërkohet në Statut).

Në këto rrethana, konkluzioni se rëndësia e SHRFT ka të bëjë vtëm me sigurimin e delegatëve votues të preferuar në AP të FSHF duket krejt i arsyeshëm. Nga ana tjetër, për vendimet e AP të SHRFT nuk mund të jepet asnjë garanci se janë marrë në përputhje me vullnetin real të komunitetit të futbollit të Tiranës. Fatkeqësisht, e njëjta histori mund të thuhet dhe për shtatë shoqatat e tjera rajonale të futbollit, të cilat së bashku kanë pothuajse gjysmën e votave në AP të FSHF.

Problemet me zgjedhjet.

Fushata ime për t’u zgjedhur President i SHRFT-së u përball me një situatë që do ta cilësoja si të turpshme po të kemi parasysh se ka ndodhur nën përgjegjësinë e një anëtari të FIFA/UEFA-s.

Pa një Rregullore dhe të një Komiteti të Verifikimit të AP, të gjitha procedurat dhe vendimet u morën nga SP i SHRFT-së, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Disiplinës në FSHF. Njoftimi dhe ftesa për mbledhjen e AP u shpërnda në mënyrë elektronike më 23 dhjetor 2021. Anëtarëve iu kërkua të siguronin brenda datës 3 Janar (në mes të pushimeve) emrin e delegatit që do votonte por nuk ju përmend asgjë mbi propozimet për kandidat për President që duhet të bënin. Në ftesë nuk cilësohej numri i delegatëve që çdo anëtar duhet të emërojë. Ky informacion shumë i rëndësishëm duket se u dha gojarisht ose me telefon më pas. Pas datës 3 janar lista e delegatëve nuk u bë publike dhe as u shpërnda për anëtarët. Pavarësisht se kërkova me shkrim, asnjëherë nuk m’u dërgua informacion mbi numrin dhe emrat e delegatëve votues. Nuk u informova as për kandidatët e tjerë me të cilët do të konkurroja. Mora një ftesë për të hyrë në mbledhjen e AP vetëm një ditë para mbledhjes por m’u refuzua të marr me vete një këshilltar ligjor. Kërkesat e mia këmbëngulëse gjetën një heshtje po aqë këmbëngulëse nga SP i SHRFT, sjellje që nuk mund të quhet ndryshe veçse fyese, jo etike dhe larg frymës që duhet të mishërojë një drejtues futbolli.

Disa ditë përpara mbledhjes së AP, anëtarët u njoftuan papritur me email se FSHF vendosi të zhvillojë mbledhjen e AP të saj në datë 3 shkurt 2022. Anëtarëve ju kërkua të dorëzojnë deri në orën 8:30 të ditës së mbledhjes së AP propozimet e tyre për delegatë në AP të FSHF, kandidatë për president të FSHF dhe për KE të FSHF. Është e qartë se asnjë nga këto pika nuk ishte pjesë e rendit të ditës përfundimtar të AP shpërndarë më 14 janar. Statuti parashikon se rendi përfundimtar i ditës nuk mund të modifikohet përveçse me vendim të dy të tretave të mbledhjes së AP. Për më tepër, numri i delegatëve të SHRFT në AP të FSHF ishte reduktuar në gjashtë nga tetë që ishte në ayë të mbajtur nga mesi i 2021. Ky vendim i marrë në mbledhjen e Komitetit të Verifikimit të FSHF të datës 10 janar 2022, nuk linte asnjë mundësi qe palët të mund ta kundërshtonin apo apelonin atë.

Delegatët hynë në sallën e mbledhjes (në godinën qendrore të FSHF) pasi kaluan tre kontrolle sigurie. Rojet e sigurisë lejuan të kalonin vetëm ata emrat e të cilëve ishin në listat e përpiluara nga një autoritet i paditur që ka vepruar në cilësinë e Komitetit të Verifikimit të AP. Këshilltarët ligjorë sigurisht nuk u lejuan të hynin pavarësisht se kishin autorizime nga subjektet anëtare të përfaqësuara.

Dy anëtarë të KE të FSHF, ish-kryetari i SHRFT (me mandat të skaduar javë më parë) dhe SP i SHRFT kishin vetë-vendosur të uleshin në tryezën drejtuese të mbledhjes. Sekretariati i Mbledhjes përbëhej nga SP i FSHF dhe Drejtori Juridik i FSHF. Ne sallë nuk kishte sinjal telefoni as internet dhe përveç stafit të FSHF askush nga delegatët nuk mund të komunikonte me jashtë pra dhe me këshilltarët ligjorë që kishin mbetur te porta e jashtme.

Një përfaqësues i një shoqate anëtare, në të njëjtën kohë dhe punonjës i FSHF, ishte caktuar për të informuar mbledhjen e AP se gjashtëdhjetë e shtatë delegatë ishin të pranishëm në sallën e mbledhjes. Ai specifikoi gjithashtu numrin e delegatëve që secili anëtar kishte dërguar në mbledhjen e AP pa bërë asnjë referencë se kush ishte autoriteti vendimmarrës për këtë. Numri i raportuar ishte çuditërisht i lartë dhe krejt i paverifikueshëm sepse askush nuk shpërndau ndonjë raport zyrtar për të dhënat dhe kriteret e ndjekura. Disa delegatë thanë se panë individë që nuk ishin parë asnjëherë në aktivitetet e futbollit, pavarësisht se komuniteti është relativisht i vogël dhe të gjithë takohen me njëri-tjetrin në ditët e ndeshjeve. Nuk u raportua asgjë mbi plotësimin e kërkesës statutore që delegati duhet t’i përkasë organizatës anëtare që ai/ajo përfaqëson. Në këto rrethana, të paktën 20 delegatë braktisën mbledhjen e AP duke deklaruar mosdakordësinë e tyre me atë që u konstatua atje. Unë iu bashkova këtij veprimi plotësisht i vendosur që çështjen ta ndjek në rrugë ligjore.

Përgjegjësitë e FSHF

Këto si më sipër nuk janë thjesht një dështim i SHRFT për të menaxhuar organizimin e AP apo përmbushjen e standardeve për zgjedhje të ndershme. SHRFT është lënë një organizatë virtuale e cila thjesht merr udhëzime dhe përdor burimet njerëzore të FSHF. Në të vertetë, zyrtarët më të lartë të FSHF kur flasim për shoqatat rajonale duket se nuk janë në gjendje të dallojnë ndryshimin midis një organizate anëtare dhe një strukture vartëse.

Muaj përpara se të njoftohej AP e SHRFT, punonjësit e FSHF u përfshinë në procesin zgjedhor të SHRFT. Ata mblodhën nënshkrime në formularë të gatshëm nga shumë subjekte anëtare duke premtuar favore ose kërcënuar me ndëshkime ata që refuzonin të nënshkruanin. Qëllimi ishte që të siguroheshin që asnjë kandidat tjetër përveç atij të përzgjedhurit të mos mund të regjistrohej dhe që lista e delegatëve votues të mund të bëhej vetëm me njerëz të orientuar “si duhet”.

Për më tepër, nga fundi i procesit, ne morëm informacione se disa përfaqësues të anëtarëve kanë qënë nën presion për të nënshkruar letra për emërimin e delegatëve të ndryshëm nga ata të specifikuar brenda afatit ligjor. Letra të tilla, të datuara dhe protokolluara sikur janë marë brenda afatit zyrtar, mund të përdoren për të ndryshuar listën origjinale të delegatëve votues. Një falsifikim i tillë, sigurisht i paligjshëm, mund të jetë dhe shpjegimi se pse lista e delegatëve votues nuk u bë kurrë publike.

Tashmë është e qartë për të gjithë komunitetin dhe opinionin publik se ajo që po ndodh me zgjedhjet në SHRFT dhe shoqatat e tjera rajonale është e pandashme me zgjedhjet presidenciale dhe ato për KE të FSHF. Me disa delegatë votues tashmë të zgjedhur përmes proceseve të dyshimta, besueshmëria e zgjedhjeve të FSHF është po ashtu shumë e rrezikuar. Vendimet e gjykatave që mund të pasojnë me siguri do të shtojnë edhe më shumë konfuzionin në këtë proces dhe reputacioni i FSHF do të dëmtohet edhe më tej. Unë jam i bindur se janë drejtuesit e lartë të FSHF ata që duhen fajësuar të parët për nxitjen dhe lejimin e gjithë kësaj që po ndodh.

I nderuar zoti President

E nderuara zonja Sekretare e Përgjithshme

Unë besoj se se si anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s, përveç organizimit të garave të futbollit, FSHF duhet të luajë një rol të rëndësishëm edhe në nxitjen e praktikave më të mira në administrimin, zhvillimin institucional dhe rritjen e imazhit të futbollit. Kur bëhet fjalë për mireadministrimin, zgjedhjet e ndershme dhe imazhin publik të futbollit, FSHF duhet të veprojë si shembull për t’u ndjekur nga anëtarët e saj dhe i gjithë komuniteti i futbollit në vend.

Për këtë arsye kërkoj vëmendjen tuaj dhe rrjedhimisht përfshirjen tuaj në mënyrën që do ta konsideroni më të përshtatshme për të penguar që akte dhe situata të tilla të padëshirueshme të ndodhin në të ardhmen. Futbolli është një sport shumë i njohur në Shqipëri. Ajo që ndodh në futboll bëhet shumë shpejt çështje e gjykimit publik. Angazhimi juaj do të ishte shumë I rëndësishëm në përpjekjet për mbrojtjen e futbollit dhe imazhit të tij edhe në këtë pjesë të Botës.

Unë nuk do të hezitoj t’ju mbaj të informuar ne të ardhmen për çdo praktikë dhe sjellje tjetër që do ta konsideroj të dëmshme për futbollin.

Sinqerisht i juaji,

Eduard Prodani

Kandidat pӕr President te SHRFT