Me 62 vota pro, 46 kundër dhe asnjë abstenim u zgjodh dje para mesnatës qeveria e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që do ta drejtojë Dimitar
Kovaçevski.

”Legjitimiteti i Qeverisë është i pakontestueshëm. Konfirmoj se zgjedhje do të ketë, por në vitin 2024. Deri atëherë do të punojmë me përkushtim për mbarëvajtjen e ekonomisë dhe cilësisë së jetës së qytetarëve”, deklaroi kryeministri i ri, Dimitar Kovaçevski në fjalimin para zgjedhjes së qeverisë së re.

Ai shtoi se beson se opozita do të jetë konstruktive dhe do të bashkëpunojë në interes të miratimit të vendimeve më të mira për vendin dhe qytetarët.

Kovaçevski do të ketë katër zëvendëskryeministra, Artan Grubi (BDI)- zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet mes Bashkësive, Sllavica Gërkovska (LSDM)- zëvendëskryeministre për Luftën Kundër Krimit dhe Korrupsionit, Bojan Mariçiç (LSDM)- zëvendëskryeministër për Çështjet Evropiane dhe Fatmir Bytyçi (LSDM)- zëvendëskryeministër për Çështjet Ekonomike.

Oliver Spasovski (LSDM) u zgjodh ministër i Punëve të Brendshme, Slavjanka Petrovska (LSDM) ministre e Mbrojtjes, Nikolla Tupançevski ministër i Drejtësisë, Bllagoj Boçvarski (LSDM) ministër për Transportet, Lupço Nikollovski (LSDM) ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Jovana Trençevska (LSDM) ministre për Punë dhe Politikë Sociale, Bisera Kostadinovska Stojçevska (LSDM) ministre e Kulturës, Goran Milevski (PLD) ministër i Pushtetit Lokal, Bekim Sali nga Alternativa ministër i Shëndetësisë, Jeton Shaqiri (BDI) ministër i Arsimit dhe Shkencës, Bujar Osmani (BDI) ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi (BDI) ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi (BDI) ministër i Ekonomisë, Naser Nuredini (BDI) ministër i Mjedisit, Admirim Aliti nga Alternativa ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratën dhe Xhemail Çupi nga Alternativa ministër pa portofol përgjegjës për Diasporën.