Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë. Prandaj kujdesi, kontrollet e vazhdueshme dhe parandalimi mbeten arma më e mirë mbrojtëse për zemrën.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) bëri të ditur se 7 103 procedura mjekësore kardiologjike janë kryer gjatë vitit 2021.

“Pavarësisht situatës së vështirë nga pandemia e COVID-19 shërbimi shëndetësor i specializuar për pacientët dhe financimi i paketave shëndetësore nuk është ndërprerë për asnjë çast. 7 103 procedura mjekësore kardiologjike janë kryer gjatë vitit 2021”, theksoi FSDKSH.

Sipas FSDKSH, janë kryer 3531 angiografi, 412 pacemaker, 202 Angioplastikë dhe 2 958 Angiografi/ Angioplastikë.

FSDKSH bëri të ditur gjithashtu se mbi 49 mijë procedura janë kryer që nga fillimi i këtij shërbimi në vitin 2014.

Shërbimi i specializuar mjekësor, plotësimi i nevojave të çdo pacienti dhe financimi i paketave shëndetësore vazhdon pa ndërprerje me 100 % financim nga FSDKSH.

Paketa e Kardiologjisë është vetëm një prej 12 paketave shëndetësore që qytetarët e përfitojnë falas afër vendbanimit.