Meghan Markle ka fituar gjyqin ndaj DailyMail dhe është shpërblyer me 1 paund për shkelje të privatësisë.

Shuma simbolike është përcaktuar në dokumentet e gjykatës, të cilat zyrtarisht konfirmojnë se gazeta ka pranuar humbjen.The Mail publikoi një letër të shkruar me dorë që dukesha i dërgoi babait të saj Thomas Markle në 2018.

Kompania mediatike do të paguajë gjithashtu një shumë të papërcaktuar për një rast të veçantë të shkeljes së të drejtës së autorit. DailyMail tha më parë se po shqyrtonte një apel të mëtejshëm në Gjykatën e Lartë, por kompania tani ka pranuar humbjen.

Shkurtin e kaluar, Gjykata e Lartë kishte vendosur kundër grupit të gazetave për çështjen e privatësisë dhe të drejtës së autorit duke thënë se çështjet në këtë drejtim ishin aq të qarta sa nuk kishte nevojë për një seancë të plotë.

DailyMail iu refuzua leja për të apeluar kundër vendimit, por shkoi në Gjykatën e Apelit në një përpjekje për të anuluar vendimin fillestar. Megjithatë, në dhjetor, Gjykata e Apelit hodhi poshtë përpjekjen për të pasur një gjykim të mirëfilltë.

Gjyqtarët në apel thanë se ishte e vështirë të shihej se cilat prova në një gjyq do të kishin ndryshuar situatën. Ata shtuan: “Gjyqtari kishte vendosur saktë se, ndërsa mund të ishte proporcionale të publikohej një pjesë shumë e vogël e letrës… nuk ishte e nevojshme të publikohej gjysma e përmbajtjes së letrës”

Një zëdhënës i Associated Neëspapers tha në atë kohë: “Është pikëpamja jonë e fortë që gjykimi duhet të jepet vetëm në bazë të provave të testuara në gjyq, dhe jo në një bazë përmbledhëse në një çështje shumë të kontestuar.”

Në deklaratën e saj të lëshuar pas vendimit, dukesha u bëri thirrje njerëzve që të jenë “mjaft të guximshëm për të riformuar një industri tabloide që… përfiton nga gënjeshtrat dhe dhimbja që ata krijojnë”.

DailyMail ka pranuar që të paguajë gjithashtu një shumë konfidenciale për shkeljen e të drejtave të autorit dhe të mbulojë një pjesë të konsiderueshme të kostove ligjore të Meghan, të cilat mund të jenë më shumë se 1 milion paund.