Përmes mediave spanjolle dolën disa deklarata të bëra nga Neymar, sulmuesi brazilian i PSG-së, gjatë dokumentarit kushtuar atij, të prodhuar nga Netflix. Fjalët, ato të fenomenit nga Amerika e Jugut, lidhen me verën e vitit 2019, kur vendosi të largohej nga klubi transalpin për t’u rikthyer në Barcelonë:

“Kur mora vendimin të largohesha nga PSG, nuk ishte për tifozët apo klubin. Thjesht mendova se do të isha më mirë diku tjetër. Nuk kam pasur kurrë asgjë kundër tifozëve të PSG, as kundër klubit. Përkundrazi, iu jam shumë mirënjohës të gjithëve.

Edhe nëse nuk doja të vazhdoja me PSG, më duhej të stërvitesha dhe të përgatitesha. E dija mirë që, nëse do të kisha luajtur keq, të gjithë do të më fajësonin mua. Nëse do të kishim humbur, do të isha fajtori i pare. Unë e di peshën dhe përgjegjësinë që kam”.