Paraditen e sotme, gjatë transmetimit të “Fan Club Big Brother Albania”, ka ndodhur një situatë shumë e këndshme e cila ka patur në qendër të vëmendjes pikërisht moderatoren e emisionit Dojna Memën. Dojna pati ditëlindjen e saj, ndërkohë që kolegët e ndërprenë rrjedhën e programit për të uruar moderatoren dhe për të kënduar këngën e ditëlindjes.
Mes emocionesh dhe përlotjesh, në skenë ka ardhur një buqetë me lule për të, e cila u shoqërua dhe me transmetimin e një inserti mjaft prekës. Në insert ishin të bashkuara klipe fotosh dhe videosh të Dojnës, por edhe fragmente momentesh midis prezantueses dhe të fejuarit te saj, Vlashentit. Ajo ka kurëzuar dashurinë me partnerin e saj, jo më vonë se dy ditë më parë në qytetin e Barcelonës. Këtë lajm, ajo e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në “Instagram” ku shfaqet me Vlashentin, më të dashuruar se kurrë. Ajo ka vendosur mbishkrimin “Gjithmonë PO”, duke na nënkuptuar propozimin dhe fejesën e çiftit.
Kështu, e pyetur për detajet e këtij momenti të veçantë, Dojna ka folur më hollësisht rreth ndjesive. “Aq nuk e prisja sa nuk kisha bërë thonjtë. Momenti nuk është kurrë si e pret. Ai u ul në gjunjë dhe më tha: ‘A do të jesh princesha ime?’. Unë thjesht ngela, nuk thashë asgjë dhe e finalizova me një puthje.”- u shpreh ajo.