Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi ka vijuar me promovimin e vlerave të arsimit, këtë herë me mësues të rinj të punësuar së fundmi nga portali “Mësues për Shqipërinë”. Çdo javë, në rrjete sociale të Znj. Kushi ka zgjedhur të promovojë figura të spikatura të mësuesve të rinj, të cilët edhe pse janë renditur në vendet e para në portal, kanë zgjedhur të punojnë edhe në zona të largëta, duke e nisur profesionin e mësuesit me zell dhe sakrificë.

“Kristina, një mësuese plot energji pozitive është renditur e para në listëpritjen e ZVAP Përmet. Ajo nuk ka hezituar aspak që të zgjedhë të punojë në një zonë rurale të Përmetit, në shkollën 9 vjeçare “Iljar”, si mësuese e gjuhës angleze. Shumë faleminderit mësuese Kristina për gatishmërinë dhe përkushtimin! Suksese në rrugën tonë të përbashkët në edukimin e brezave!”- shkruan ministrja në një status në rrjete sociale.

Deri tani mijëra mësuese dhe mësues në të gjithë vendin janë punësuar falë aftësive të tyre profesionale. Portali “Mësues Për Shqipërinë” ka bërë të mundur një shpërndarje të drejtë të mësuesve në shkolla të vendit, pa bërë dallime nëse shkolla ndodhet në qendra të qyteteve apo zona rurale, duke ruajtur kështu një standard të lartë meritokracie dhe transparence.