Teksa temperaturat kanë shënuar një ulje deri në -18 gradë, Ministria e Arsimit vendosi që të mbyllë për tre ditë gjatës kësaj jave, të gjitha shkollat në vend, për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve prej kushteve të vështira atmosferike.
Marrja e një vendimi të tillë është masa më shpesh e zbatuar nga të gjitha sistemet arsimore në botë, çdo herë që Institutet e Parashikimit të Motit paralajmërojnë përkeqësimin e kushteve atmosferike. Kështu, në shtator të vitit 2021, Italia Qendrore u kryqëzua nga moti i keq, ndaj disa rajone, mes tyre ai i Ligurisë dhe Toskanës, vendosën të pezullonin mësimin. Shkollat u mbyllën pasi agjencia e mbrojtjes civile lëshoi alarmin për motin e keq. Drejtuesit rajonalë të politikave arsimore vlerësuan se kjo ishte e vetmja mënyrë që garantonte sigurinë e plotë të nxënësve dhe mësuesve.
Kështu, mbyllja e shkollave është e vetmja alternativë e sigurtë, e cila mundëson që nxënësit dhe mësuesit të mos vendosen përpara rreziqeve të papritura të motit, i cili mund të parashikohet, por jo të kontrollohet dhe ndaj kjo masë aplikohet kudo, pavarësisht se sa i zhvilluar mund të jetë sistemi logjistik i ngrohjes në shkolla. Qëndrimi në shtëpi i fëmijëve është e vetmja mënyrë për t’ju shmangur pasojave që vijnë me përkeqësimin e pakontrolluar të motit.
Kjo masë nuk aplikohet për herë të parë as në vendin tonë, pasi pezullimi i mësimit është vendosur edhe disa herë më parë gjatë kushteve të vështira atmosferike, sikurse në vitin 2018, kur për shkak të motit të acartë, Ministrja Lindita Nikolla njoftoi pezullimin e mësimit në mbi 300 shkolla të vendit.
Së dyti, një vendim i tillë është edhe më i domosdoshëm, sepse ai vjen në një moment specifik, kur rritja e numrit të infektimeve nga covid 19 është reflektuar edhe në numrin e mungesave të nxënësve në shkolla. Mbyllja e shkollave në këtë rast, për një periudhë tre ditore, i shërben këputjes së zinxhirit të infektimit mes nxënësve dhe mësuesve.
Për këto arsye, fokusi thelbësor në këtë çështje nuk mund dhe nuk duhet të jenë akuzat e palogjikshme nëse shkollat u mbyllën realisht prej të ftohtit apo prej covidit, por fakti i qenësishëm se mbyllja e shkollave i shërben sigurisë së fëmijëve nga të dyja rreziqet aktuale, si prej të ftohtit, ashtu edhe prej covidit.
Në këtë kuptim, çdo lloj diskutimi tjetër përpara sigurisë së jetës së fëmijëve dhe mësuesve është thjesht i pakuptimë dhe jorracional.