Mario Sconcerti, në kuadër të “Corriere della Sera” ka analizuar si gjithmonë ndeshjet e Serie A, pas përfundimit të ndeshjeve të luajtura dje. Këto janë disa pjesë nga ajo që ai shkruan: “Në këtë ditë mungesash të shumta, Milani rifilloi bisedën me veten. Çfarë po ndodh realisht askush nuk mund ta dijë, as në fushë dhe as në jetë.
Është një kohë e çuditshme dhe frikësuese. Është e vështirë të kërkosh qartësi, mungesë problemesh. Rezultati është se Milani konfirmon të drejtën e tij për të shkuar deri në fund. Roma ishte një kundërshtar atipik, sepse nuk e di saktësisht se çfarë fytyre do të tregojë.
Nuk e kuptova penalltinë e parë, që orientoi lojën. Pashë krahun, nuk pashë devijimin. Ndoshta Mourinho ka të drejtë, veçanërisht kur thotë se dallimi teknik midis Milanit dhe ekipit të tij ishte i qartë. Milani ka një ritëm të provuar, një ndjenjë ekipore, që Romës i mungon. Nuk mund ta themi se çfarë do të jetë Milani në fund të majit, Interi ndoshta do të jetë më i fortë. Pioli vazhdon të tregojë cilësi, personalitet, identitet, edhe duke vendosur formacione gjithmonë të ndryshme.
Në Torino, rezultati është vështirë i deshifrueshëm. Një barazim dëmton këdo në këto nivele, por në lojë Napoli ishte më i vazhdueshëm, më kompakt. Juventusi ishte më i shkëlqyer për dy të tretat e lojës, por i improvizuar, individual. Të dyja këto skuadra u treguan inferiore ndaj Milanit në “San Siro” dhe ndaj Interit në dy muajt e fundit. Personalisht gjykoj se Napoli dhe Juve nuk mendojnë më për titullin”.