Kryefjala e merkatos është Haaland. Të gjithë janë të marrosur pas tij, ndërsa së fundi lajme të bujshme vijnë nga Spanja. Atje thuhet se Laporta ka një akord me menaxherin Mino Raiola për bomberin norvegjez. E pabesueshme në kushtet e vështira financiare që po kalon skuadra katalanase, por jo e pamundur.
Intriga shkon deri në atë pikë, sa prezantuesi Jesús Gallego lëshon një propozim… mjaft të veçantë: “Nëse Laporta arrin të blejë Haaland, ne gjithashtu mund ta heqim Ministrin e Ekonomisë dhe ta vendosim atë në vend të tij”.
Sidoqoftë, problemet më urgjente te Barcelona nuk janë ato të merkatos së verës dhe ardhja e mundshme e norvegjezit, por ato të janarit. Pa hequr qafe disa rroga të rënda, Ferran Torres realisht rrezikon të mos regjistrohet dot në La Liga. Dhe gazetari Antonio Romero shpjegon qartë se cilat do të ishin pasojat:
“Nëse vjen puna për të kthyer Ferran te Manchester City, do të ishte absolutisht qesharake. Dhe të gjithë drejtuesit do të duhet të japin dorëheqjen në bllok”. Duke filluar, natyrisht, nga Laporta, që ka premtuar goditjen e madhe; blerjen e Haaland.