Në 109-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi nuk la pa përmendur edhe protestën e zhvilluar para selisë së PD, një tubim i organizuar nga Sali Berisha. Teksa vlerësoi rolin e Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm u shpreh se ajo ishte një ngjarje primitive, dhe ku ishte e vështirë të ndaje kufirin ku mbaronte e drejta për të protestuar. “Policia zotëron kapacitet të plotë për tu përballur me sfidat për ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Policia ka autonominë në kryerjen e detyrave të saj.

Policia e ka krijuar këtë standard të lartë. Dëshmia e qartë e kësaj ishte menaxhimi i ngjarjes së fundit ku policia tregoi pjekur dhe maturi.

Një situatë e pangjashme në botën e qytetëruar, absurde për nga arsyeja, primitive për nga mënyra brutale e realizimit, një situatë ku ishte e vështire të ndaje kufirin ku mbaronte e drejta për të protestuar, ku mbaronte e drejta për të ushtruar lirisht aktivitetin politik dhe detyrimin për të shmangur cdo pasojë kriminale kundër personave apo pronës.

Policia tregoi dhe dëshmoi që ka një nivel të lartë profesionalizimi. Jeni ju punonjësit e policisë, dëgjuesit e zërit të njerëzve që me vokacionin tuaj përbëni shtyllën e themelit. Policia e shtetit shqiptar nuk është lëkundur asnjëherë”, u shpreh ndër të tjera Ministri i Brendshëm.