Segmenti rrugor Kryqëzim Rinas (aeroport) – Qafë Kashar (kthesa Rinas) do t’i nënshtrohet rehabilitimit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur se të hënën (10.01.2022), ora 05:00 do të fillojë ndërhyrja për rehabilitimin e segmentit rrugor Kryqëzim Rinas (aeroport)-Qafë Kashar (kthesa Rinas).
ARRSH-ja informoi se punimet e planifikuara kanë për qëllim përmirësimin e sigurisë rrugore ku përfshihet edhe rifreskimi i sinjalistikës rrugore dhe masave të sigurisë rrugore përgjatë të gjithë segmentit rrugor Kryqëzim Rinas–Rinas-Qafë Kashar.
Punimet parashikohet të zgjasin për një periudhë 30-ditore kjo edhe në varësi të kushteve atmosferike.
ARRSH bëri të ditur se kryerja e punimeve do të bëhet përgjatë gjithë ditës me orë të zgjatura dhe do të ndahet me tri faza.
Faza e parë përfshin segmentin Qafë Kashar-Universiteti “Epoka”. Punimet në këtë segment do të vazhdojnë për 7-10 ditë. Do të punohet në të dyja korsitë.
“Mjetet që lëvizin në drejtimin Qafë Kashar-Rinas në drejtim të aeroportit të devijohen në autostradë në drejtimin Qafë Kashar–Vorë-Rinas. Mjetet do të udhëzohen të përdorin edhe kalime të tjera në rrugën dytësore. Segmenti i autostradës Qafë Kashar–Vorë dhe Vorë–dalje Fushë-Krujë–Kryqëzim Rinas–Rinas (Aeroport)–Universiteti “Epoka” dhe anasjelltas do të jetë i aksesueshëm”, bëri të ditur ARRSH.
Në fazën e dytë do të punohet në segmentin Universiteti “Epoka”-Rinas Aeroport. Punimet në këtë segment do të vazhdojnë për 5-7 ditë.
“Mjetet që lëvizin në drejtimin Qafë Kashar-Rinas drejtim të aeroportit do të devijohen në autostradë në drejtimin Qafë Kashar–Vorë-Rinas”, informoi ARRSH.
Mjetet do të shfrytëzojnë edhe rrugët dytësore për në dalje autostradë-drejtimi Durrës.
Sipas ARRSH-së, gjatë fazës së parë dhe të dytë të gjitha lëvizjet hyrëse dhe dalëse në Aeroportin e Rinasit do të bëhen në drejtimin nga Rinasi (Aeroporti–K/Rinas (Ahmetaq)–Vorë–Tiranë-Durrës dhe anasjelltas).
Në fazën e tretë punimet do të kryhen në segmentin Rinas Aeroport-kryqëzimi Rinas. Punimet në këtë segment do të vazhdojë për 7-10 ditë.
Faza e tretë e punimeve do të jetë nga Rinas Aeroport-Kryqëzim Rinas (Ahmetaq), ku do të punohet në të dyja korsitë. Mjetet do të devijohen në “degëzimin e Rinasit në drejtim të Vorës për në hyrjen e autostradës Tiranë–Durrës dhe do të përdorin segmentin Qafë Kashar–Rinas (aeroport).
“Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë Rrugore dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes, orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar dhe për të shmangur bllokimin e qarkullimit”, theksoi ARRSH.