Nga Skënder Minxhozi/
Sot është një ditë që Sali Berisha e ka shumë bezdi. Do të donte ta fshinte fare nga kalendari. E gjithë Foltorja e ndjek pas Doktorin në këtë ndjesi ku përzihet shpërfillja, me pak turp të fshehur thellë në subkoshiencë. Seç janë nja katër gjynahqarë që Rama i dërgoi para shumë kohësh te zyra e shefit dhe aty u vranë, kjo është filozofia sempliste e turmës që mësyu shkallët e PD në tetë janar. Një interpretim banal që refuzon përgjegjësinë e vrasjeve dhe që e transferon atë vetëm tek organizatorët e protestës. Nuk ka qorra më të këqinj se ata që kanë sy e nuk duan të shohin, thotë proverbi.
Në anën tjetër të qasjes qëllimisht shpërfillëse të Foltores (të mbajmë larg Berishën nga vrasjet) ndaj 21 janarit, qëndron sot Lulzim Basha. Ky ‘i riu’, shefi i PD-së pas tetë janarit, jo ai ‘i vjetri’, ministri i brendshëm i asaj dite, që ndau në heshtje përgjegjësinë me shefin e tij. Lulzim Basha i sotëm duhet të flasë, përkundër Lulzim Bashës së djeshëm që heshti.
Basha ka një detyrim të drejtpërdrejtë politik, qytetar dhe njerëzor që lidhet me këtë ngjarje. Ndaj të gjallëve dhe më shumë akoma ndaj të vdekurve. Ai është hallka që potencialisht zgjidh nyjen 11 vjeçare të asaj masakre të panevojshme që mori katër jetë njerëzish të cilët nuk paraqisnin asnjë rrezik për shtetin e kohës në momentin e marrjes së jetës. Kryetari i sotëm i PD duhet të japë një dëshmi të qartë dhe të prerë se e refuzon kulturën e heshtjes dhe omertà-n politike që e ka mbajtur lidhur me Sali Berishën.
Në katër muaj konflikti brenda partisë, mes Berishës dhe Bashës janë shkëmbyer akuza nga më të rëndat. Për vjedhje e korrupsion, tradhëti e thika pas shpine, dhunë ndaj militantëve, uzurpim të institucioneve dhe trukim votimesh. Berisha dhe Basha janë tashmë diametralisht të kundërt e të distancuar mes tyre, krahasuar me të njëjtën ditë si 11 vjet më parë. S’kanë qenë kurrë më larg njëri-tjetrit, në asnjerin nga përvjetoret e 21 janarit.
Ish-ministri i brendshëm i asaj dite e ka akuzuar indirekt eprorin e tij për atë ngjarje. Ka hedhur ca fjalë dhe më pas është tërhequr. Ndër të tjera, kjo e bën shumë relative dhe pak besueshme edhe distancimin nga Berisha, të cilin Basha e pretendon nga mëngjesi në darkë.
Është dita kur Lulzim Basha duhet të flasë, për të bërë një akt të madh shkëputeje dhe për të dhënë një provë konkrete sovraniteti politik nga Sali Berisha, më shumë sesa për të sjellë ndonjë element të ri që ende nuk e njohim për 21 janarin. Ajo masakër është konsumuar në sytë e shqiptarëve, në mes të Tiranës. Dëshmia eventuale e Bashës vetëm do t’i jepte soliditet korpusit të akuzës dhe mbi të gjitha, do t’i jepte vlerë zyrës dhe poltronit që ai thotë se e mban konform rregullave dhe moralit politik.