Bota po përjeton rritjen më të madhe shtatë-ditore të rasteve të koronavirusit që nga fillimi i pandemisë aktuale, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë-OBSH.

Agjencia raportoi sot 9.5 milionë raste të reja në mbarë botën, një rritje prej 71 për qind nga java në javë, duke shtuar se numri i vërtetë i infeksioneve është ndoshta shumë më i lartë sepse shumë rajone nuk po kryejnë teste mjaftueshëm ose për shkak se raportet janë të paplota nga disa zona, sipas kreut të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Numri i rasteve me Covid-19 u dyfishua në Amerikën Veriore dhe Jugore duke regjistruar një rritje prej 65 për qind në Evropë.

Gjatë periudhës kohore, e cila përfshin 27 dhjetor deri më 2 janar, u regjistruan gjithashtu 41,000 vdekje për shkak të koronavirusit. Që nga fillimi i pandemisë, janë shënuar 289 milionë raste me Covid-19 dhe 5.4 milionë vdekje.

Maria van Kerkhove, një eksperte e OBSH-së, tha se individët kishin ende fuqinë për të ndikuar në rrjedhën e pandemisë dhe për të frenuar rritjen e rasteve me Covid-19. Ata duhet të ndiqnin disa hapa të thjeshta si; ruajtja e distancës, mbajtja e maskave dhe të siguroheshin që dhomat të ishin të ajrosura mirë.

Ajo u bëri thirrje banorëve të shmangnin grumbullimet ndërsa këshilloi shkollat, bizneset dhe agjencitë qeveritare që të investonin në sisteme të mira ventilimi.

“Mos u dorëzoni, së bashku do të dalim nga kjo pandemi”, tha ajo.

OBSH-ja kritikoi shpërndarjen e padrejtë globale të vaksinave, duke vënë në dukje se janë ende 90 vende ku nuk ka vaksina të mjaftueshme për të vaksinuar 40 për qind të popullsisë së tyre.